Paraburgim inspektorit të ndërtimit të komunës së Shtimes

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, inspektorit të ndërtimit të Komunës së Shtimes me iniciale T.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Deri tek caktimi i masës së paraburgimit ka ardhur pasi sipas Prokurorisë inspektori dyshohet  se gjatë muajit shtator të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018 në Shtime, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme pasurore për vete, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër,  tani të dëmtuarit H.Sh.

Prokuroria pretendon se inspektori nga i dëmtuari fillimisht ka marrë  shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë, si dhe shumën prej 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë, me qëllim që ta pajisë me leje ndërtimi duke i shkaktuar dëme në vlerë prej 1.080 euro dhe të njëjtin nuk e ka pajisur me leje ndërtimi, por e ka lejuar që ti ndërtonte dy shtëpi pa leje.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Ndaj këtij vendimi mundë të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit por  se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.