Paraburgim dhe arrest shtëpiak për të dyshuarit se shantazhuan doktorin për 5 mijë euro

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit M. K., ndërkohë ka refuzuar kërkesën për caktim të paraburgimit për të pandehurën F. K., duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, të pandehurit dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, e kanë kanosur të dëmtuarin E. E., se nëse nuk u jep i njëjti të holla në shumën prej 5.000 Euro, ata do të zbulojnë një video incizim i cili do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e tij.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale shantazh nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M. K., ndërsa për të pandehurën F. K. masa e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com raportoi sot në lidhje me ndalimin e tre personave për këtë rast.