Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim babait të dyshuar për kërcënimin e djalit të tij

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji personit i cili po dyshohet se e ka kanosur djalin e tij.

Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.J. ka kryer veprat penale të asgjësimit apo dëmtimi të pronës, kanosjes dhe mospërfilljes së Gjykatës.

Prokuroria pretendon se i pandehuri në maj të 2019-ës fillimisht i është afruar banesës së djalit të tij ndonëse një gjë të tillë e kishte pasur të ndaluar me vendim të Gjykatës, ndërsa më pas në qershor të po këtij viti e kishte gjuajtur xhamin e banesës së djalit të tij dhe më pas kishte vrapuar në drejtim të po të njëjtit dhe me grusht e kishte dëmtuar xhamin e derës së hyrjes së objektit.

Përpos kësaj sipas Prokurorisë i pandehuri B.J. një muaj më pas përmes telefonit i është kërcënuar djalit të tij duke i shkaktuar kështu frikë dhe ankth.