Gjykimi për rrahjen që përfundoi me therje | Foto: KALLXO.com

Para Gjyqit për Therjen me Thikë në ‘Dardani’

Filloi ballafaqimi në gjykatë i të akuzuarve për rrahjen e cila rezultoi me goditje me thikë ndaj viktimës Meriton Mehana në “Kurriz” të Lagjes “Dardania” në Prishtinë.

Florent Krasniqi e Kushtrim Krasniqi, Lavdim Raqi dhe Samir e Bilall Shkodra, janë të akuzuar për përleshjen mes dy grupeve në kryeqytet më 17 tetor 2016.

Gjatë shqyrtimit fillestar gjyqësor Florent e Kushtrim Krasniqi dhe Lavdim Raqi u deklaruan të pafajshëm, ndërsa Samir dhe Bilall Shkodra e pranuan fajësinë dhe deklaruan se kishin qenë pjesë e përleshjes.

Isa Salihi, avokati i të akuzuarit Florent Krasniqi kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet paraburgimi.

“I propozoj kryetarit të trupit gjykues që të akuzuarit Florent Krasniqi t’i ndërprehet masa e paraburgimit nga vetë fakti se prokuroria ka ngritur aktakuzë dhe konsideroj se kanë pushuar edhe shkaqet për vazhdimin e kësaj mase, pasi që i mbrojturi im nuk mund të ndikojë në dëshmitarë apo bashkëkryes eventualë”, tha avokati Salihi.

Ky avokat deklaroi se “mungon edhe baza ligjore kryesore se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”.

Një kërkesë e tillë u refuzua nga prokurorja e shtetit, Ferdane Sylejmani, e më vonë edhe nga gjyqtari Beqir Kalludra, i cili mori aktvendim që të akuzuarit Florent Krasniqi t’i vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajve.

“Marr aktvendim që të akuzuarit Florent Krasniqi t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj prej datës së sotme, e që për këtë çështje do të përpilohet aktvendim i veçantë ku do të jepen edhe arsyet ligjore për vazhdimin e kësaj mase”, tha gjyqtari Kalludra.

Në bazë të aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme që kishin pasur, të akuzuarit Florent e Kushtrim Krasniqi si dhe Gëzim Krasniqi në njërën anë dhe Bilall e Samir Shkodra, Lavdim Raqi si dhe i mituri Jetlir Shkodra në anën tjetër, kishin filluar të rraheshin mes vete.

I pranishëm gjatë kësaj rrahjeje ishte edhe i dëmtuari Meriton Mehana,të cilin sipas aktakuzës Florent Krasniqi e kishte goditur disa herë me thikë në pjesën e abdomenit dhe gjoksit, në kokë dhe në pjesë tjera të trupit.

Si pasojë e gjithë kësaj, i dëmtuari Mehana ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Florent Krasniqi akuzohet për vrasje në tentativë, ndërkaq të akuzuarit Kushtrim Krasniqi, Lavdim Raqi, Samir dhe Bilall Shkodra, ngarkohen për pjesëmarrja në rrahje.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri