Punësimi - Foto: Rtv21

Papunësia në Kosovë mbi 30 për qind,  punësimi sfidë më e madhe për gratë

Shifrat zyrtare të papunësisë vazhdojnë të shfaqin gjendje shqetësuese, veçanërisht për gratë.

Të dhënat e ASK-së të dala nga anketa e fuqisë punëtore e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thonë se papunësia në Kosovë deri në tremujorin e tretë të këtij viti është 30.7 për qind. Vetëm 12.6 për qind e grave aktive për punë,  janë të punësuar. Shqetësuese mbetet edhe rritja e numri i madh i atyre që nuk lypin punë  dhe kontratat e përkohshme të punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.0 për qind.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë  ishte 29.1 për qind.

Vetëm 12.6 për qind e femrave u punësuan në këta tre muaj, dhe mbi 45 për qind e meshkujve

“Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (45.6%), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.”, bën të ditur komunikata.

Tregtia vazhdon të jetë sektori me punësimin më të madh.

“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8%, ndërtimtaria me 12.3%, arsimi me 11.5%, si dhe prodhimi me 10.5%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.”, njofton komunikata.

ASK thotë se sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.6 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tre muajt korrik-shtator 2018, shkalla e papunësisë është 30.7 për qind.

Papunësia më e theksuar vërehet te femrat.

“Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8%, krahasuar me meshkujt, 29.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 55.0%.”, tregon ASK.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e tretë të këtij vitit, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 80.7  për qind, krahasuar me meshkujt, 35.3 për qind.