Papadopoulou: Institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë shënojnë progres

Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou sot ka prezantuar Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte, i cili i përfshinë aktivitetet e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPSL) gjatë periudhës korrik 2017 deri në qershor 2018 dhe e bën përcjelljen e progresit të bërë nga institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në fushën e policisë, doganës, drejtësisë, dhe zbatimit të dialogut.

Papadopoulou përmendi performancën dhe kapacitetet e rritura të disa institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit si Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, si dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, që në veçanti sipas saj ka mundësuar tërheqjen graduale të mbështetjes së EULEX-it e në anën tjetër mbështetjen në rritje në mjetet alternative të ndihmës.

Edhe shefja e Zyrës së BE/PSBE në Kosovë, Nataliya Apostolova, theksoi se Raporti i ri për Kosovën i cili do ta mbulojë periudhën shkurt 2018 deri janar 2019 është në proces të hartimit dhe shprehu optimizmin se pas analizimit të të gjitha kontributeve, BE-ja do të ketë mundësinë që prapë të prodhojë një raport tjetër gjithëpërfshirës i cili do t’i ndihmojë Kosovës më tej në rrugën e saj evropiane.

Këto deklarata u thanë gjatë takimit mes Alexandra Papadopoulou së bashku me Bordin e Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPSL).

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, dhe Shefja e Zyrës së BE/PSBE në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ministri Tahiri, tha se agjenda e Drejtësisë 2020 ka qenë e domosdoshme në qëllim të adresimit të çështjeve konkrete, të identifikuara gjatë viteve të fundit brenda sistemit të drejtësisë, me fokus në sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Një mekanizëm i këtillë koordinues do ndihmojë patjetër në qasje më të shpejtë, më moderne dhe më kualitative në qëllim të ngritjes së efikasitetit. Në këtë mënyrë, kjo agjendë do ndihmojë edhe procesin e Rishikimit Funksional, duke krijuar hapësirë për diskutime të temave të mëdha që kërkojnë hulumtim më të madh dhe diskutim më të detajuar brenda grupeve punuese”, theksoi Tahiri.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, e informoi Bordin rreth procesit të avancimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK), për procesin e rekrutimit të 10 prokurorëve të rinj dhe punësimin e stafit mbështetës në të gjitha prokuroritë në Kosovës.

“KPK i ka adresuar të gjitha rekomandimet  e Raportit për Kosovën 2018, dhe se në sistemin prokurorial ka progres të matshëm”, tha Isufaj.

Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, e informoi Bordin lidhur me Vlerësimin e performancës së gjyqtarëve si një proces mjaft me rëndësi, ku janë vlerësuar të gjithë gjyqtarët që kanë aplikuar për ngritje në detyrë si rrjedhojë e konkursit të brendshëm të KGjK-së.

“KGjK-ja ka përfunduar procesin e intervistimit të gjyqtarëve të rinj dhe pritet emërimi i tyre”, tha ai.

Në përfundim të takimit  Papadopoulou ka përshëndetur fillimin e iniciativës Drejtësia 2020 të udhëhequr nga Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me Kryesuesit e Këshillave Gjyqësor dhe Prokurorial.