Pantina kërkon që rezoluta të plotësohet me procedura hetimore për shpenzimet e parasë publike

Deputetja e PSD-së Shqipe Pantina tha se shënimi i festave përveç që ka dështuar të promovoj shtetësinë tonë i ka vënë në pah edhe dështimet e protokollit të shtetit

Ajo ka përmend edhe pretendimet që deputeti Driton Selmanaj i dha. Pantina tha se nuk ka fakte të mjaftueshme për pretendimet e deputetit Selmanaj, prandaj sipas saj Kuvendi do të duhej që së pari t’i siguronte këto fakte ose duke i ofruar vetë qeveria ose përmes mekanizmave tjerë të cilët i ka Kuvendi përmes procedurave hetimore që i parasheh edhe rregullorja.

“Vetëm miratimi i një rezolute është i pamjaftueshëm sepse rezoluta nuk e detyron qeverinë t`i përmbush obligimet e veta”, tha Pantina.

Pantina përmendi edhe deklaratat e deputetes së PDK-së Safete Hadërgjonaj e cila prezantoi të dhëna të ngjashme në kohën sa PDK-ja ka qeverisë me LDK-në.

Sipas Pantinës fakti se ka pas keqpërdorime dhe abuzime me paranë publike kur PDK-ja ka qeverisë me LDK-në as nuk e arsyeton as nuk e shfajëson qeverinë e AAK-së me PDK-në.

“Prandaj për të dyja këto pretendime duhet që përveç Kuvendit të merret edhe prokuroria që duhet t`i filloj hetimet dhe përgjegjësit të japin llogari. Rezoluta të plotësohet me fillimin e procedurave hetimore”, tha Pantina.