Paneli për Ankesa me Plan të Ri

Nazmije Ibrahimi, kryesuese e PZAP-it tha se përmes këtij plani strategjik synohet sensibilizimi i opinionit publik se puna këtij paneli është e bazuar në shtetin e së drejtës.

“E gjithë kjo bëhet me qëllim të realizimit të vizionit të institucionit tonë që nëpërmes këtij plani strategjik të rritet edhe transparenca dhe llogaridhënia në opinionin publik se si ky institucion do të veprojë në tre vjetët e ardhshëm, sepse ky plan strategjik përcakton objektivat tona që synojmë t`i arrijmë dhe do të jemi të përkushtuar në përmbushjen e këtij plani,” tha ajo.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-it tha se me këtë plan strategjik janë paraparë veprimet të cilat do të rrisin sigurinë në drejtimin e këtij institucioni.

“Këto plane janë përgatitur prej praktikave më të mira nga një proces zgjedhor në tjetrin. Plani strategjik i PZAP-it është i bazuar në përvojën e anëtarëve të PZAP-it dhe stafit të sekretariatit prej themelimit të këtij institucioni e deri më tani,” tha ai.

Hartimi i kësaj strategjie është mbështetur edhe nga organizatat ndërkombëtare IFES, USAID dhe OSBE.