PAN-i pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anëtarët e KQZ-së

Edhe pse kanë kaluar tashmë dy muaj që kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dekretuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë komision ende nuk janë përfaqësuesit e koalicionit PAN.

Kjo pasi që ata nuk janë pajtuar që t’i takojnë vetëm dy anëtarë në KQZ, njësoj sa LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast e kishin dërguar presidentin Hashim Thaçi në Gjykatën Kushtetuese së bashku me PSD-në, e cila po ashtu kërkon një anëtar në KQZ.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të marrin vendim për anëtarët në këtë organ.

“Ne jemi duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese se çfarë do të ndodhë, kur ta kthen ajo atëherë ne do të ulemi dhe do të bisedojmë”, tha Sherifi për KALLXO.com.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar tetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 28 mars të këtij viti, pas një viti vonesë.

Këto emërime kanë zhbllokuar punën e këtij organi, i cili për më gjatë se një vit ishte jofunksional, pikërisht për shkak të mungesës së anëtarëve.

Vonesa e presidentit Thaçi për këto emërime pasoi reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku mes tjerash thuhej se “dështimi për t’i bërë emërimet, e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore”.

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë.