Pamje nga operacioni i ATK-së ku gjobiten bizneset e parkingjeve në Prishtinë

Një operacion i zhvilluar nga ATK në fillim të janarit ka rezultuar me afër 9 mijë euro gjoba për bizneset të cilat menaxhojnë parkingjet në Prishtinë.

Pamjet nga operacioni transmetohen për herë të parë në KALLXO.com dhe janë filmuar në fillim të janarit.

Operacioni kishte cak parkingjet të cilat gjenden në zonën e qendrës së Prishtinës dhe ku klientët për pagesat e parkingjeve nuk pajiseshin me kuponët.

Në inspektimin e parë inspektori ka zbuluar 46 makina nuk kishin kuponë fiskal ndërsa biznesi kishte pajisur vetëm pesë makina me kupon fiskal. Pamjet shfaqin makina të cilat janë parkuar e për të cilat nuk ka kuponë e po ashtu reagimin e pronarit i cili arsyetohet për shkelje.

Në biznesin tjetër po ashtu në qendër të Prishtinës inspektorët zbulojnë se asnjë makinë nuk është pajisur me kupon fiskal.

Aty madje punonjësit refuzojnë tu japin qasje inspektorëve në librat dhe dokumentet e biznesit.

Në biznesin e tretë të kontrolluar një parking i cili ka hapësire për mbi 100 makina inspektorët zbulojnë se parking nuk ka fare arkë fiskale ndërsa asnjë klientë nuk është pajisur me faturë fiskale e cila ofrohet në rastet kur mungon kuponi fiskal.

Pjesë e kontrollimit të ATK-së janë edhe kontratat e punës së punonjësve në biznesin e tretë të kontrolluar përgjegjësi I parkingut nuk ka kontratë të punës ndërsa në arsyetimin e tij para inspektorëve tregon se është veteran I luftës dhe punon pa kontratë me qëllim që të marrë pensionin e veteranit.

Gjetjet e hasura në aksionin e janarit janë analizuar nga departamenti i ZGjONA njësia e cila shqipton gjobat për bizneset që shkelin rregullat tatimore.

Florent Rrahmani zyrtar në ATK i ka thënë KALLXO.com se nga inspektimi i janarit ZGjONA ka shqiptuar 37 gjoba në vlerë prej 8 mijë e 750 euro.

www.kallxo.com