Pamje - Lumi që sjell ndotje, fshatarët në hall me kundërmimet

Në vend që të u sillte freski në këto ditë të nxehta, lumi “Graçanka” në fshatin Miradi e Poshtme të Fushë Kosovës po u sjell telashe banorëve.

Ky lum që kalon pranë shtëpive të banuara, kundërmon erë të rëndë e kohë pas kohe, uji që rrjedh nëpër lum ndërron ngjyrë.

Sipas banorëve të Miradisë së Poshtme krejt kjo ndotje po vjen nga një fabrikë e qumështit disa kilometra më larg. Nga ndotja, banorët thonë se nuk mund të qëndrojnë në oborret e tyre.

“Problemi është se, vjen era shumë, domethënë gjatë kohës së verës ne nuk mundemi me dalë edhe me i çelë dritaret sepse s’mundemi me nejt as brenda, se jashtë ma nuk bëhet llaf. Kjo po vazhdon kohë të gjatë, 3-4 vitet e fundit u ndalë, mirëpo sivjet ja nisë prapë me të njëjtën tempo siç ishte para 5 vjete e më parë”, ka thënë për KALLXO.com Florim Gjyrefci.

Si pasojë e ndotjes, sipas banorit të kësaj lagjeje, në lum më nuk ka as gjallesa.

“Këtu nuk ka as faunë, nuk ka peshq nuk ka bretkosa nuk ka asnjë gjallesë që duhet me pas lumi”, thotë tutje Gjyrefci.

Probleme me ndotjen e lumit “Graqanka” po ka edhe Ragip Drenovci nga Miradia e Poshtme. Ai madje ka një propozim për bashkëvendësit e tij.

“Lumi është ndotë, sidomos prej qumështoreve në Miradi të Eperme, e këtu sidomos në mbrëmje, prej orës 20:00 është katastrofë, vetëm me dal në oborr me maska, përndryshe pa maskë nuk bën. Kundërmon si me djegë diçka, është problem, se prodhimet qumështore e kanë erën shumë të rëndë”, ka thënë Drenovci.

Por, në kompaninë e qumështit të cilën e akuzojnë banorët e mohojnë se po e ndotin lumin “Graçanka”.

Afrim Berisha, bashkëpronar në fabrikën e qumështit “Bylmeti”, tha për KALLXO.com se kompania e tij po i trajton ujërat që dalin nga puna e fabrikës.

“E kemi pasur shumë nevojë që të informohen banorët që e Miradisë së Ulët se ndotja e lumit nuk është nga “Bylmeti”. Ne para 10 viteve e kemi filluar dhe e kemi investuar në trajtimin e ujërave tona. Siç mundeni me e pa, këtu është impianti ku trajtohen çdo ditë deri në 50 tonë ujëra të zeza që dalin prej kompanisë”, tha Berisha.

Kjo fabrikë edhe një laborator edhe për matjet e ndotjes së ujit. E sipas analizave që bëhen këtu, Berisha thotë se gjithçka është në rregull.

“Normalisht, sipas matjeve rezultatet tona dalin nën kriterin minimal të lejuar, dmth uji është shumë i i mirë për ata edhe peshqit në bazenin tonë kanë mbijetuar që katër vite”, thotë pronari i “Bylmetit”.

Në një përgjigje elektronike, zyra për medie në Komunën e Fushë Kosovës ka thënë se ndotja e lumit “Graçanka” nuk bëhet në territorin e Fushë Kosovës, ndërsa kanë paralajmëruar se shumë shpejtë do të kërkojnë ndotësit e lumit.

“Inspektorët tanë ka ndalur në vendin e ngjarjes dhe kanë shkuar deri në fshatin Preoc të komunës së Graçanicës dhe sipas vlerësimeve të para ndotja vjen nga jashtë territorit të komunës së Fushë-Kosovës dhe komunës së Graçanicës. Brenda këtyre dy ditëve inspektorët tanë së bashku me ata të Graçanicës do të ndjekin rrjedhën e lumit Graçanka deri në Hajvali të komunës së Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në komunën e Graçanicës dhe atë të Prishtinës rreth kësaj çështjeje por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.