Pal Lekaj reagon pasi Rufki Suma ndërpret punimet në autostradë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka reaguar pas ndërprerjes së punimeve të autostradës Prishtinë-Shkup nga komuna e Hanit të Elezit gjatë ditës së sotme.

Ai ka shkruar në Facebook se punimet për këtë autostradë duhet të vazhdojnë dhe se një ndalesë e tillë nuk guxon të ndodhë.

“Është për keqardhje kur dëgjon se një projekt gjigant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit, po pengohet. Autostrada “Arbën Xhaferi” që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale. Prandaj, Hani i Elezit duhet t’i gëzohet realizimit të këtij projekti, për të mirën e vendit.”, ka shkruar Lekaj.

Komuna e Hanit të Elezit, gjatë ditës së sotme kishte lëshuar njoftimin se kishte ndërprerë bashkëpunimin me kompaninë Bechtel-Enka, si pasojë e dëmeve të shkaktuara në pronat publike komunale dhe ato private e që kompania në fjalë nuk po i riparon.

https://kallxo.com/hani-i-elezit-ia-nderpren-punimet-bechtel-enkes/