Ministri Pal Lekaj dhe dy bashkëpartiakë të tij, Gani Dreshaj e Bekë Berisha, inspektojnë një rrugë në rajonin e Istogut - Foto: Facebook

Pal Lekaj Injoron Haki Rugovën

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka inspektuar dy rrugë në territorin e komunës së Istogut.

Mirëpo, Lekaj në këtë inspektim nuk e ka ftuar të “zotin” e kësaj ane, kryetarin e Komunës, Haki Rugovën.

Ministri për inspektim ka marrë rivalin e Haki Rugovës të garës për kryetar të Istogut, Gani Dreshajn, i cili vjen nga e njëjta parti sikur edhe ministri – AAK. Po ashtu, edhe deputetin e Kuvendit të Kosovës Bekë Berisha (AAK).

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari i Komunës tha se nuk ka marrë kurrfarë ftese nga ministri për të inspektuar punimet në këto dy rrugë. Ai thotë se vizita e Lekajt ka të bëjë me fushatën zgjedhore.

Ndërsa, sipas një komunikate të Ministrisë së Infrastrukturës, ministri Pal Lekaj është zotuar para dy bashkëpartiakëve të tij se rrugët Lubozhdë – Lug i Butë dhe rrugën Syne – Moken do t’i fillojë në gjysmë të vitit të ardhshëm.

“Ju falënderoj për interesimin që e keni treguar që këto rrugë të ndërtohen. Në këtë vizitë ne sot jemi me kërkesën e qytetarëve, të komunës së Burimit. Këto dy rrugë kanë impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Ne zotohemi para kandidatit për kryetar të komunës dhe para deputetit që do t’i kryejmë obligimet tona dhe kjo rrugë të fillojë në qershorin e vitit që vjen. Ne do të punojmë maksimalisht që të mos sterzgjaten projektet sikur deri më tani nga Qeveritë e mëparëshme, por ju premtoj se punimet e kësaj rruge do të përfundojnë në kohën më të shkurtër të mundshme”, citohet të ketë thënë ministri Lekaj.

Kurse kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, tha së ka marrë premtimin nga kompanitë punëkryese se projekti do realizohet sa më shpejt.

“Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për këtë anë dhe e cila i ka rreth 19 kilometra. Ju premtojmë qytetarëve që rruga do të përfundohet sa më shpejt pasi që të gjitha kompanitë kanë premtuar që do të bëjnë edhe punë vullnetare, që rruga të ndërtohet sipas standardeve dhe me gjerë si deri 5 metra e gjysmë”, thuhet të ketë thënë Dreshaj.

Mirëpo, për t’i parë punët nga afër bashkë me Ministrin e Infrastrukturës, nuk është ftuar kryetari aktual i Komunës së Istogu, Haki Rugova.

Ai për KALLXO.com tha së nuk ka marrë kurrfarë ftese që të jetë i pranishëm bashkë me ministrin Pal Lekaj.

Rugova tha se ministri Lekaj ka ardhur në Istog për fushatë zgjedhore, “për ta përkrahur kandidatin e subjektit të tij politik”.

“Unë nuk dyshoj që kjo është e qëllimshme. Sigurisht është e qëllimshme dhe natyrisht që ka ardhur në përkrahje të një deputeti nga Istogut këtu, përkatësisht z. Dreshaj, i cili është edhe kandidat për kryetar Komune. Dhe tash ideja është punët paraprake që i ka bërë një kryetar, që janë në implementim së bashku me Qeverinë e Kosovës apo Ministrinë e Infrastrukturës në atë kohë, tash të keqpërdoret është e padrejtë, s’është në rregull”, tha Haki Rugova për KALLXO.com.

Kryetari aktual i Istogut tha së këto rrugë po realizohen falë marrëveshjes me ministrin paraprak të Qeverisë së kaluar.

“Unë nuk kam marr ftesë, unë e pash që kanë qenë. Unë po e kuptoj që është fushatë mirëpo një gjë e di – këto marrëveshje, këto rrugë që janë t’u ba, janë marrëveshje që janë nënshkruar me Qeverinë paraprake, domethënë Komuna bashkë me Qeverinë dhe tash janë në implementim, disa janë njëvjeçare, disa dy”, u shpreh Rugova

“Unë nuk mund ta kuptoj si një ministër i Qeverisë së Kosovës mund t’i vizitojë punimet e bazuara në marrëveshjet paraprake që janë bërë, pavarësisht qeverisë. Sipas meje është non sens edhe e palogjikshme. Këtu ka një pushtet lokal aktual. Atje është një qeveri aktuale dhe bashkëpunimi mes këtyre niveleve duhet të vazhdojë, pavarësisht kush do jetë nesër kryetar apo kush do jetë ministër”, tha ai.

I kontaktuar nga KALLXO.com, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se në Istog ka qenë me kërkesën e banorëve dhe dy deputetëve të AAK-së.

Edhe pse tha ka qenë në cilësinë e ministrit, ai për KALLXO.com tha se ka shkuar me veturën e tij private, e jo atë zyrtare.

Ndërsa, sa i përket mosftesës së kryetarit aktual të Istogut, Haki Rugova, Lekaj tha se as në qytetet tjera nuk i ka ftuar kryetarpt aktualë, përveç në ato komuna ku është ftuar nga vetë ata.

“Unë kam menduar që mos t’i qes në siklet kryetarët aktualë, ka disa kryetarë që vetë me kanë kërku, si për shembull Haziri e shumë tjerë dhe nuk kam hezituar. Le të me thërret nesër z. Rugova unë do t’i shkoj në vizitë”, tha Lekaj.

I pyetur nëse vizita e sotme e tij ka të bëjë me fushatën zgjedhore, ministria Lekaj e ka mohuar një gjë të tillë.

Ndryshe, në komunikatën e Ministrisë së Infrastrukturës thuhet së për këto dy rrugë të komunës së Istogut, Ministria parasheh të ndajë buxhet që të fillojnë në mesin e vitit 2018, sepse sipas tyre janë kërkesa të banorëve të asaj ane dhe dy deputetëve të AAK-së, Gani Dreshaj dhe Bekë Berisha.