Ilustrim: Një fëmijë i prekur nga fruthi - Foto: Rtv21

Më Pak të Sëmurë nga Fruthi

Në një komunikatë të lëshuar nga Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës bëhet e ditur se numri i të sëmurëve nga fruthi ka pësuar rënie.

“Bazuar në statistikat dhe raportimet  e Klinikës Infektive të  Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vërehet rënie e dukshme e rasteve të sëmurëve me fruth në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, shumica e të sëmurëve janë liruar në shtëpi, ndërsa po mbahen në Kinikën infektive etëm ata që kanë gjendjen shëndetësore më të rëndë.

“Nga 170 raste të raportuara deri më tani në këtë klinikë, 130 janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore, përderisa pjesa tjetër pas mjekimit të marrë po vazhdojnë të mjekohen në këtë klinikë”, vijon komunikata.

Të lëshuarit në shtëpi, sipas komunikatës jnë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në komunikatë bëhen të ditura edhe shkaqet pse dy persona nviqën nga fruthi.

“Siç ishte raportuar më herët, ka pasur dy raste të vdekjeve,  njëri me komplikime të tjera shëndetësore dhe një foshnje e pavaksinuar”, sqaron komunikata.

Komunikata shpjegon se stafi i Klinikës Infektive është në gatishmëri 24 orëshë për të ofruar ndihmë te të prekurit nga fruthi, ndërsa edhe furnizimi me barna konsiderohet i kënaqshëm.

KALLXO.com ka ndjekur vazhdimisht gjendjen e të sëmurëve nga fruthi në Kosovë.