Pak mysafirë nga vendet mike në seancën solemne për përvjetorin e Pavarësisë

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne në 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Për dallim nga herë të tjera, numri i mysafirëve nga vendet mike ishte i vogël.

Në seancën e sotme, në sallën e Kuvendit janë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ish-kryeministri italian, Massimo d’Alema, ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, dhe dy përfaqësues të Parlamentit Britanik.

Në seancë disa nga deputetët e Vetëvendosjes kanë hyrë vetëm pas intonimit të himnit të Kosovës.

Në një fjalë rasti, kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova është e interesuar për marrëveshje obligative ligjore, për njohje me reciproke me Serbinë dhe për avancimin drejt BE-së dhe NATO-s.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se 17 shkurti është dita më e veçantë për popullin tonë e ky brez më fatlumi i historisë.

“Ne ia dolëm të bëjmë realitet ëndrrën e atyre që ranë”, theksoi Veseli, duke theksuar se sikur të gjitha shtetet, edhe shti i Kosovës po kalon nëpër trauma të rritjes së vështirë.

Ai u ka shprehur mirënjohje të gjitha shteteve mike që e kanë ndihmuar Kosovëv.

“Kosova është e bekuar nga zoti e nga miqtë. Ne që jemi në këtë sallë kemi detyrë të ruajmë këtë pasuri për të gjithë. Historia e kombit tonë është histori e gjatë dhe e dhimbshme. Ne e dimë historinë tonë, nuk do ta harrojmë atë por nuk duhet të mbetemi peng i së kaluarës”, tha Veseli.

Më tej, Veseli tha se institucionet janë të vetëdijshme për të metat por se janë të vendosur dhe nuk do të ndalemi deri sa të përmbushim misionin tonë perëndimor.

“Kosova asnjëherë nuk do të jetë strofull e krimit dhe e terrorizmit. Në reformat në sistemit të drejtësisë jemi duke bërë veprimet më të duhura. Kosova si vendi më i vogël më i robëruar, me masakrat më të tmerrshme, ka jetësuar edhe një gjykatë speciale. Agresori edhe krimi dihet. I dimë ne dhe i gjithë bota – ajo është veç Serbia”, tha Kadri Veseli në seancën solemne, duke i bërë thirrje çdo ushtari të UÇK-së të ftuar t’i përgjigjen kësaj Gjykate.