Tryeza në lidhje me mbeturinat | Foto: KALLXO.com

Pak Mbeturina Riciklohen në Kosovë

Në një tryezë të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në bashkëpunim me Zyrën e BE-së u diskutua për strategjinë kosovare të menaxhimit të mbeturinave.

Afrim Berisha, udhëheqës për gjendjen e mjedisit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, foli për ligjet nga të cilat dalin udhëzime që rregullojnë çështjen e mbeturinave.

“Në kuadër të ministrisë është hartua dhe është aprovuar nga qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës Strategjia Mjedisore e Kosovës për Menaxhimin e Mbeturinave e cila ka periudhën e vlefshmërisë 2013-2022. Nga kjo strategji është dalë edhe plani për menaxhimin e mbeturinave 2013-2017”, tha Berisha .

Berisha megjithatë tha se në Kosovë riciklohen numër i vogël i mbeturinave-vetëm 32 për qind e tyre. Sipas Berishës, 40 për qind të mbeturinave janë të tretshme (biodegraduese)dhe mund të përdoren në forma tjera.

Driton Vatovci nga organizata gjermane GIZ tha se për menaxhim më të mirë të mbeturinave duhet të bëhet fuqizimi i ndërmarrjeve publike dhe komunave dhe një bashkëpunim mes tyre.

Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive në Forumin për Iniciativa Qytetare tregoi një shembull personal të një diskutimi me një diplomate gjermane.

Berisha deklaroi se kur kishte folur me këtë diplomate për eko-turizmin në Kosovë kishte marrë përgjigjen nga diplomatja “pastrojeni vendin nga mbeturinat”.

Problemet dhe sfidat më madhore në Kosovë sa i përket Strategjisë së Menaxhimit të Mbeturinave janë: ndarja e mbeturinave, vendet e grumbullimit të mbetjeve dhe të mbeturinave, infrastruktura e menaxhimit të mbeturinave, buxheti i komunave,mungesa e vetëdijesimit të qytetarëve, bizneseve dhe zyrtarëve.

Gazmend Selimi nga Zyra e BE-së, tha se Kosova duhet të ndjekë modelin e BE-së për strategjitë e menaxhimit të mbeturinave.

Po ashtu përmendi donatorët e jashtëm të cilët Kosovës i dhurojnë ndihmë sa i përket zgjidhjes së problemit.

Sot KALLXO.com shkroi për një aktivitet në të cilin fëmijët u mësuan si t’i klasifikojnë mbeturinat.

http://kallxo.com/femijet-mesojne-si-ti-klasifikojne-mbeturinat/