Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Pajtim gjyqësor në kontestin mes infermieres së pensionuar dhe Spitalit të Mitrovicës

Shefkie Tahiri kishte qenë infermiere e përgjithshme në Spitalin e Mitrovicës për 44 vjet.

Pas pensionimit në mars të këtij viti ajo ka paraqitur  kërkesë për kompensimin e gjashtë pagave, duke u bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.

Por meqë edhe pas kalimit të afateve ajo nuk kishte marr asnjë përgjigje, ajo ka paditur Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.

Përmes padisë, Shefkie Tahiri kërkon nga pala e paditur, në këtë rast Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës, kompensimin e gjashtë pagave.

Tahiri konsideron se i janë shkelur të drejtat për kompensim të gjashtë pagave në vlerë prej 2,827.62 euro, konkretisht tri paga me rastin e pensionimit dhe tri paga për shpërlim jubilar në Spitalin e Përgjithshëm – Mitrovicë.

Kurse me rastin e mbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Divizioni Civil, ky kontest ka përfunduar më pajtim gjyqësor ndërmjet palëve.

Ky pajtim gjyqësor u lejua edhe nga gjyqtari Faton Ademi.

Ndërsa me këtë rast Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri“ në Mitrovicë u detyrua që në emër të kompensimit për tri paga përcjellëse dhe shpërblim jubilar  t’ia paguajë paditëses Shefkije Tahiri shumën prej 1.885,08 euro brenda afatit 15 ditor në xhirollogarinë e paditëses.