Pagat e punëtorëve të  “Trepçës” pritet të dalin deri në fund të ditës

Gjatë ditës së djeshme, punëtorët e ndërmarrjes “Trepça”, në Mitrovicë kanë bojkotuar punën e tyre duke mos hyrë në minierë, për shkak  të vonesës së pagës së tyre për muajin shkurt.

Anëtari i Sindikatës së Punëtorëve, Iusuf Peci, ka thënë për KALLXO.com se përkundër premtimeve, pagat e punëtorëve nuk kanë dalur ende.

“Disa kanë hyrë në minierë për të vazhduar punën, disa nuk kanë hyrë, pasi që  pagat nuk kanë dal ende për puntorët”, ka thënë Peci për KALLXO.com.

Ndërsa, menaxheri i kësaj ndërmarrje, Xhevdet Tahiri, ka thënë për KALLXO.com se pagat e punëtorëve do të dalin sot deri në fund të ditës.

“Pagat dalin sot. Unë isha tek minatorët bisedova me ta, ata po vazhdojnë punën, pagat dalin sot, kjo është e sigurt”, është shprehur Tahiri.

Gjatë ditës së djeshme, Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se janë Ministria ka ndarë 5 milion euro për ndërmarrjen “Trepça”, duke mos dhënë detaje se për çfarë saktësisht janë ndarë këto mjete.

“Sot nënshkruam marrëveshjen e parë për ndihmë financiare për Trepça si shoqëri aksionare. Shuma e ndihmës është afër 5 milionë euro dhe ka për qëllim ti jep një shtytje Trepçës si tërësi”, ka shkruar Lluka.

KALLXO.com ka kontaktuar sot me ministrin për të pyetur nëse kjo shumë ka të bëjë me pagat e punëtorëve, por Lluka ka thënë se ajo është shumë e cila ndahet çdo vit, si subvencion për investime kapitale.

“Ato mjete janë subvencion që ndahen për investime kapitale që bëjnë një ndihmesë për rritje të prodhimit dhe produktivitetit në ndërmarrje”, ka thënë Lluka.

Në këtë prononcim, ministri ka folur edhe për vonesën e pagave për punëtorët e ndërmarrjes.

“Vonesa ka ndodhur për dy arsye,  vonesa që është bërë për votimin e  buxhetit në Kuvendin e Kosovës dhe për shkakun se “Trepça”, të premten është regjistruar si shoqëri aksionare, dhe  ka marr kohë hartimi I disa dokumenteve”, ka thënë Lluka.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme për bojkotimin e punës nga ana e punëtorëve të “Trepçës”, për shkak të vonesës së pagave.

https://kallxo.com/minatoret-e-trepces-bojkotojne-punen-pas-voneses-se-pagave/