Pagat e punëtoreve të Telekomit vonohen, të hyrat janë rritur

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës,  ka siguruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për të bërë zgjidhje për krizën në të cilën ndodhet Telekomi.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli në këtë takim e kishte njoftuar ministrin Lluka se gjatë dy muajve të fundit ka pasur rritje në të hyrat e PTK-së.

“Do të bashkëpunojmë që kthehet imazhi pozitiv i Telekomit, dhe më bënë të lumtur lajmi qe në të dy muajt të fundit të hyrat janë rritur, gjithashtu e kuptova nga qiraja është zvogëluar për 20-30%. Qëllimi jonë është ta inkurajojmë Bankën Botërore dhe Berzh të inkuadrohet në ristrukturimin e Telekomit. Punësimi është reduktuar dhe shpenzimet po  ashtu”, ka thënë Lluka.

Ministri Lluka sa i përket pagave të punëtoreve të Telekomit, tha se pagat duhet të ulën në mënyrë që kjo kompani të shpëtoj nga kriza në të cilën gjendet.

Sipas tij mund të këtë sërish vonesa të punëtoreve të kësaj ndërmarrje.

“Përderisa është në situatën që është, do të këtë probleme në baza mujore. Për momentin është përfunduar për arsye se Telekomi i ka derdhur disa mjete në llogarinë e Postës, dhe i ka mbuluar pagat. Për të zgjedhur problemin e Postës, duhet të ketë forma të tjera për të siguruar shërbim të vetë qëndrueshme”, ka  thënë Lluka.

“Jemi në diskutim me Postën që t’i fusim disa shërbime tjera të institucioneve shtetërore të ndryshme të bëhen përmes saj, siç është p.sh shpërndarja e skemave sociale, pastaj ka edhe shërbime tjera postare që përdoren nga kompani private, ka shërbime që janë në ministri të Punëve të Brendshme për çështje të regjistrimit, pra të gjitha këto mund t’i rrisin të hyrat për postën me rreth 2 milion euro në vit”, shtoi ai.

Tutje, Lluka tha se nuk do të lejojë që të ketë gradime të punëtoreve pa meritë, në ndërmarrjen që akuzohet për punësime pa kriter e gradime pa kritere.