Paditet për Përfitimin e Mbi 50 Mijë Eurove Nga Dëmshpërblimi i të Mbrojturve të tij

Avdullah Avdullahu dhe Sadije Jashanica kanë paditur Nebih Zeqirin nga fshati Muzeqinë i Komunës së Shtimes për keqpërdorim besimi dhe mashtrim.

Avdullahun e Jashanicën i akuzuari Nebih Zeqiri i kishte përfaqësuar në një kontest civil të kompensimit të dëmit  për shkak të aksidentit në komunikacion të fëmijës së mitur të paditësve.

Paditësit pretendojnë  se Zeqiri i ka mashtruar duke ia ofruar për nënshkrim një dokument të zbrazët Avdullah Avdullahut në emër të bërjes së pagesave të dëmshpërblimit.

“Nga muaji janar 2007 e deri më janar të vitit 2012 me vetëdije të plotë dhe me dashje fillimisht i ka mashtruar me qëllim të fitimit joproporcional dhe të jashtëligjshëm të dobisë pasurore duke i propozuar që të nënshkruajnë një dokument blanko të zbrazët paditësit Avdullah Avdullahu me datën 21.07.2007 me qëllim që më vonë t’u bëjë pagesat,” thuhet në kallëzimin penal.

Sipas këtij kallëzimi i akuzuari në fillim të muajit gusht 2007 ia paguan 40 mijë euro Avdullahut, por çiftit ua fsheh realitetin duke mos ua treguar aktgjykimin, e as as vlerën reale të kompenzimit të dëmit që gjykata kishte vendosur të jetë 92,250.00 euro.

Paditësit pretendojnë se përfaqësuesi i tyre i autorizuar në  mënyrë të kundërligjshme i kishte përfituar 52.730.47 euro.

Ata në shkurt të vitit 2012 kallëzimin penal e kishin dërguar në prokurori, por Prokuroria Themelore e Ferizajt e kishte hedhur poshtë atë.

Pastaj Avdullah Avdullahu e Sadije Jashanica kishin filluar vetë ndjekjen penale të Nebih Zeqirit, duke bërë padi subsidiare në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Padia subsidiare është padi kur paditësit marrin rolin e prokurorëve duke dërguar kallëzim penal në gjykatë.

Në seancën e kësaj padie, pyetjeve Labinota Qosa-Ilazit, përfaqësueses së autorizuar të Avdullahut dhe Jashanicës iu përgjigj i akuzuari Zeqiri.

Qosa-Ilazi kërkoi të dijë nga i pandehuri se pse ka marrë për përfaqësim lëndën e paditësve në fazën e ekzekutimit, kur ata kishin të angazhuar një avokat tjetër.

“Siç kam thënë edhe në Polici, unë nuk kam pasur njohuri se kush është marrë më përpara me këtë lëndë,” tha Zeqiri.

Zeqiri pretendon se ka një procesverbal të nënshkruar nga Avdullah Avdullahu për pranim-dorëzimin e mjeteve, në të cilin Avdullahu e pranon se ka marrë të gjitha paratë e dëmshpërblimit.

Qosa-Ilazi e pyeti Zeqirin se pse ka përpiluar këtë procesverbal kur ka pasur dëftesën e bankës në të cilën figuronte tërë shuma e mjeteve.

“E  kam pa ma të arsyeshme të përpiloj  procesverbalin për dorëzimin e mjeteve monetare, për arsye se letrat e bankës dhe llogarinë bankare edhe sot me i pa unë i njoh,”  u përgjigj  Zeqiri.

Përfaqësuesja e autorizuar e paditësve e pyeti më tej të akuzuarin se ku e ka shtypur këtë procesverbal, pasi ia kujtoi Zeqirit se ai kishte thënë se nuk dinte të  përdorte kompjuterin.

“E kam shtypur në një agjenci turistike, për këtë e kam paguar pesë euro, unë i kam diktuar, ndërsa ata e kanë shtypur,” deklaroi Zeqiri.

Qosa-Ilazi kërkoi të dijë se ku ndodhet origjinali i këtij procesverbali.

“Origjinali gjendet te inspektorët e krimeve ekonomike e besoj që duhet me qenë në shkresat e lëndës, ndërsa unë e posedoj vetëm kopjen,” ishte përgjigjja e Zeqirit.

Avokatja ia bëri me dije të akuzuarit se kur ishte pyetur më herët se pse nuk i kishte dërguar paratë në llogarinë bankare të Avdullah Avdullahut kishte thënë “kam menduar që është çështje e thjeshtë”, ndërsa pikërisht për këtë çështje të thjeshtë më vonë kishte përpiluar procesverbal.

“Unë nuk e kam pasur numrin e llogarisë së Avdullahut,” tha i padituri.

Avokatja u interesua edhe për arsyen e të paditurit që të punojë falas në rastin e kompensimit të dëmit për Avdullahun e Jashanicën, kur sipas avokates në periudhën 2004-2008 në llogarinë bankare të Nebih Zeqirit asnjëherë nuk kishte më shumë se 11 euro.

“Nuk kam përgjigje,” tha i akuzuari.

Seanca e radhës ku do të jepet edhe fjala përfundimtare e paditësve edhe e të paditurit do të mbahet më 9 mars.