Padi për Krime Lufte ndaj Nënkryetarit të Beogradit të Ri

Qendra për të Drejtën Humanitare të premten paraqiti një ankesë penale kundër Andriqit, ish-komandant i Brigadës Birak të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke pretenduar se ai urdhëroi në mënyrë të paligjshme largimin e më shumë se 10,000 boshnjakëve nga qyteti i Zvornikut më 28 maj 1992.

Boshnjakët të cilët ishin dëbuar u detyruan të strehoheshin në fshatra të tjerë, tha Qendra për të Drejtën Humanitare.

“Disa ditë më vonë, më 31 maj, Andriq lëshoi një urdhër për të ngritur kampin e burgut Susica. Kampi funksionoi deri më 30 shtator 1992 dhe gjatë asaj periudhe të burgosurit iu nënshtruan kushteve çnjerëzore,” u tha në një njoftim për shtyp.

Sipas Qendrës për të Drejtën Humanitare, të burgosurit flinin në një dysheme prej betoni, iu jepej një vakt në ditë dhe mbaheshin në kushte johigjienike. Shumica e tyre u rrahën çdo ditë, ndërsa gratë u përdhunuan dhe rreth 160 të burgosur u vranë.

Qendra pohon gjithashtu se në maj dhe qershor 1992, brigada e Andriqit dëboi popullsinë boshnjake nga më shumë se 20 fshatra në komunën e Vlasenicës dhe dogji një fshat tjetër në mars të vitit 1993.

Andriq nuk komentoi menjëherë padinë e Qendrës për të Drejtën Humanitare.

Por ai mohoi kryerjen e krimeve të pretenduara kur dëshmoi në gjyqin e Ratko Mlladiqit në vitin 2015.

Ai i tha në Gjykatën e Hagës se në maj 1992, ai urdhëroi “largimin e popullsisë civile myslimane” nga territori nën kontrollin e Brigadës Birac, por këmbënguli se kjo ishte bërë “në një mënyrë të organizuar” dhe se urdhri aplikohej vetëm për ata boshnjakë “të cilët donin të largoheshin”.

“Ai urdhër shpëtoi me mijëra, pasi shumë nuk do të kishin mbijetuar dot,” tha Andriq, duke pretenduar se boshnjakët duhet të largoheshin nga zona për të shmangur dhunën nga ana e paraushtarakëve.

Andriq aktualisht është zëvendëskryetar i komunës së Beogradit të Ri, i cili drejtohet nga një prej kandidatëve në zgjedhjet e të dielës për kryetar të komunës së Beogradit, Aleksandar Sapiq.

Ai është gjithashtu anëtar i presidencës së Partisë së Popullit Serb, pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi.

Qendra për të Drejtën Humanitare tha se në vitin 2006, ajo i dërgoi një letër kryeprokurorit të atëhershëm të krimeve të luftës Vladimir Vukçeviq, duke i kërkuar atij të hetonte Andriqin për krime të dyshuara në kampin e burgimit Susica dhe në Zvornik dhe Srebrenicë, por nuk dihet nëse prokuroria e bëri apo jo këtë.