Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Serbia kurrë nuk do të kthehet në pykë në lidhjen e Kosovës me ShBA-në

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova kurrë nuk do të bëhet shkaktar i zhgënjimit të ShBA-së dhe perëndimit.

“Serbisë i themi, para dhe pas Pavarësisë, para dhe pas ushtrisë, para dhe pas taksës, me apo pa Marrëveshje gjithëpërfshirëse, se ne kurrë nuk do të bëhemi shkaktar i zhgënjimit të ShBA-së, e perendimit dhe shkaktar të gëzimit tuaj eventual mbi diçka të tillë. Serbia kurrë nuk do të kthehet në pykë mes lidhjes sonë të pashkëputshme me ShBA-në dhe perendimin”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai ka shkruar se Kosova ka marrëdhënie të përhershme dhe të natyrshme me ShBA-në dhe perendimin.

“Mardhëniet e Kosovës me SHBA dhe perendimin përcaktojnë, natyrën e karakterit të identitetit tonë shtetëror. Ne kemi partner të përhershëm, të qendrueshëm e të natyrshëm dhe pa interesa egoiste!”, ka përfunduar Pacolli.

Gjatë ditës së sotme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me ambasadorin e ShBA-së në Kosovës, Philip S. Kosnett.

Ata janë pajtuar që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore.

“Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar Thaçi.

Ndryshe, ShBA është shprehur kundër vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe nga Qeveria e Kosovës dhe ka kërkuar nga Kosova për pezullimin e saj, në mënyrë që të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.

Por, këtë kërkesë nuk po e pranon kryeministri që e vendosi taksën, Ramush Haradinaj. Ai po vazhdon të mos e ‘lëkund’, qëndrimin e tij karshi taksës dhe ka bërë thirrje që të mos përzihen dialogu me taksën.

https://kallxo.com/thaci-ambasadorit-amerikan-do-te-largohen-te-gjitha-pengesat-per-vazhdimin-e-dialogut/