Selim Pacolli, AKR, Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

Pacolli Nuk Vozit më Kamionë, Emërohet Nënkryetar i Prishtinës

Vozitja e kamionit të kompanisë “Pastrimi” gjatë fushatës për zgjedhje lokale nuk ishte ideja më e mirë për Selim Pacollin.

Për një veprim të tillë, PZAP-i i shqiptoi një gjobë prej 3000 eurove, duke gjetur këtë veprim si shkelje të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.

Por, prej dje, Selim Pacolli mund edhe ta harrojë episodin me kamionin pasi kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka emëruar atë nënkryetar të Komunës së Prishtinës.

Ky vendim është bërë publik në faqen zyrtare të komunës.

Të njëjtën ditë, janë emëruar edhe katër drejtor të rinj të komunës.

Januz Salihaj është emëruar drejtor i Drejtorisë së Arsimit, ndërsa Gëzim Mehmeti drejtor i Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave.

Dren Kukaj është emëruar në Drejtorinë e Pronës, ndërkaq inspeksionin do ta udhëheqë Brahim Mehmetaj.

Deri tani, Kryetari Ahmeti ka emëruar nëntë drejtorë dhe ende nuk dihet saktë se kur do të finalizohet kabineti i Kryetarit Ahmeti me drejtorë të rinj.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-emeron-drejtoret/

Ahmeti në Debat Pernime ka premtuar se nëse do të rizgjidhet prapë kryetar i Prishtinës do të ketë synim që të emërojë gratë në krye të gjysmës së drejtorive.

“Do të mundohemi ta arrijmë kuotën, por megjithatë nuk do të shkojmë që vetëm për të treguar që ka barazi gjinore duhet ta kemi gjysmën, por megjithatë synojmë që gjysma e drejtorive të jenë gra”, kishte shtuar Ahmeti.

Por deri tash, Ahmeti ka emëruar vetëm një grua në pozitën e drejtorit të komunës.

Nora Kelmendi është emëruar drejtoreshë e Drejtorisë së Kadastrit.