Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Nuk ka krizë humanitare në veri që nga viti 1999

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i ka demantuar mediat e Serbisë së kinse ekziston një krizë humanitare në veri.

Pacolli ka thënë së nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova, duke siguruar se nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë.

Sipas tij, në veriun e vendit ka mjaft produkte dhe medikamente.

“Qeveria serbe, mediat e kontrolluara në Serbi dhe politikanët kukulla të Beogradit në veri kanë filluar një fushatë lajmesh të rreme për të krijuar histeri kinse që ekziston një krizë humanitare në veri. Playbacku i Millosheviçit tani i dirigjuar, është i njohur për Kosovën”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social ‘Facebook’ të martën.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë.

“Ne do të kundërshtojmë këtë propagandë që ka për qëllim krijimin e tensioneve dhe incidenteve në Kosovën veriore. Nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë. Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj”, thuhet më tutje në komunikatën e udhëheqësit të MPJ-së.

KALLXO.com ka raportuar sot së kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar skenarin e mundshëm të Serbisë që të krijohet një krizë humanitare në veri.

Haradinaj para gazetarëve tha se kanë informacione për një gjë të tillë, por se nuk do ta lejojnë.

“Kemi prova të këtij skenari të tillë, njerëz të involvuar, nuk do të lejojmë një gjë të tillë për qytetarët e Kosovës. Ne e dimë që target kohë e kanë të enjten për këtë skenar, ekziston një tendencë që me na i mbyllë sytë para kontrabandës”, tha kryeministri.