Foto: Facebook/Behgjet Pacolli. 28.05.2019

Pacolli njofton ministrat e Ballkanit Perëndimor për aksionin e policisë në Veri

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli në takimin e Ministrave të V4 dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Bratisllavë ka informuar ata dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin e Policisë së Kosovës në veri gjatë ditës së sotme.

Pacolli përmes një postimi në Facebook tha se atyre u ka treguar që ky aksion është bërë për krim të organizuar dhe kontrabandë.

“I informova ministrat e jashtëm të rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin kundër krimit të organizuar në veri të Mitrovicës por edhe në pjesët tjera të Kosovës, ku u arrestuan një numër i madh i të përfshirëve në krim të organizuar dhe kontrabandë, duke përfshirë një numër të madh të zyrtarëve policor”, ka shkruar Pacolli.

Tutje ai tha se ministrave ia ka bërë të ditur se operacioni nuk ka pasur qëllim të sulmojë ndonjë komunitet specifik të qytetarëve të Kosovës.

“Fqinjët tanë nga Serbia po vazhdojnë t’i japin karakter etnik duke i politizuar përpjekjet tona për fuqizimin e sundimit të ligjit. Makineria propagandistike serbe e orkestruar nga Vuçiç dhe Daçiq po përpiqen të krijojnë histeri dhe frikë përmes fake neës me qëllim të krijimit të tensioneve dhe destabilizimit dhe këtë ia thash edhe ministrit serb Daçiq”, thotë Pacolli.

Ai shtoi se Kosova i njeh lojërat e Beogradit.

“Ne i njohim lojërat e Beogradit. Serbia e pengoi bashkëpunimin rajonal duke orkestruar shfaqje të ndryshme që treguan fytyrën e vërtetë të Beogradit”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka marrë një aksion në komunat veriore ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë ku ka pasur edhe të plagosur.

https://kallxo.com/fotogaleri-aksioni-i-policise-se-kosoves-ne-zubin-potok/

.

https://kallxo.com/perfundon-aksioni-ne-zubin-potok-foto/