Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Mospranimi i masakrës së Reçakut, lojë e rrezikshme e Beogradit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli tha se mospranimi i masakrës së Reçakut është një politike e rrezikshme e Beogradit.

Pacolli në një postim në profilin e tij në Twitter, shkroi se Kosova gjithmonë do t’i kujtojë krimet që janë bërë nga Serbia.

“Mospranimi i Masakrës së Reçakut dhe të Gjenocidit të Srebrenicës nuk janë raste të izoluara, por paraqesin një politikë të rrezikshme të Beogradit dhe të kukullave të tyre në rajon që duhet të dënohen fuqishëm nga kombi. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë Serbisë për krimet që ka kryer në #Kosovë”, ka shkruar Pacolli.

Masakra në fshatin Reçak të Shtimes në të cilën nga forcat serbe u vranë 45 civilë shqiptarë, ditëve të fundit është bërë temë përplasjesh mes politikanëve të Serbisë, Kosovës dhe jo vetëm.

Zyrtarë serbë duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitet 1998/99, e kanë vënë në pikëpyetje vërtetësinë e masakrës së 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.

Ish-ministri serb i Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq e quajti masakrën e Reçakut “një trillim” dhe i njëjti pas kësaj deklarate u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka quajtur këtë ngjarje “shpikje e Ëilliam Ëalker”.

Ngjarja në Reçak, në të cilën mori pjesë për së afërmi edhe ish-drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Ëilliam Ëalker, nxiti reflektimin ndërkombëtar për ndërhyrje në Kosovë gjatë luftës dhe i parapriu edhe bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999.

Megjithëkëtë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila i denoncoi krimet e kryera në Kosovë përfshirë edhe atë të Reçakut, nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me masakrën në fshatin e Shtimes.

Zyrtarja për media e OSBE-së, Mersiha Çausheviq Pozhiq ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se OSBE ishte ndër aktorët kryesorë ndërkombëtarë të përfshirë në përpjekjen për të arritur një zgjidhje paqësore për Kosovën.

Haradinaj  pati shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pikërisht për shkak të qëndrimit të saj rreth bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.