Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Mospërfshirja e Kosovës në raportin e OKB-së për krimet seksuale, mosrespekt për viktimat

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur i brengosur që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nuk i ka përfshirë krimet seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovës në raportin mbi dhunën seksuale në konflikte.

Pacolli e ka quajtur këtë mosrespekt ndaj viktimave. Po ashtu Pacolli ka paralajmëruar se do të dërgojnë një notë proteste për mospërfshirjen e Kosovës në këtë raport.

“I brengosur për atë se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në raportin mbi dhunën seksuale në konflikte nuk e ka përfshirë Kosovën dhe krimet seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë. Kjo tregon mosrespekt ndaj viktimave dhe minon besueshmërinë e Kombeve të Bashkuara. Ne do të dërgojmë një notë proteste”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Për mospërfshirjen e Kosovës në këtë raport kishte reaguar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Madje QKMRT i është drejtuar edhe me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

“QKRMT, si një organizatë joqeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës për të lehtësuar traumën e tyre dhe për të avokuar për të drejtat e tyre, shpreh shqetësimin e saj më të thellë për lënien jashtë raportit të situatës së Kosovës sa i përket krimeve të dhunës seksuale”, thuhet në reagimin e QKRMT-së.