Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Mediat serbe kanë devijuar deklaratën time

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas raportimeve të mediave serbe për deklaratat e tij në Gjermani lidhur me një zonë ekonomike për veriun e Kosovës.

Pacolli përmes një publikimi në Facebook ka thënë se mediat serbe kanë devijuar qëllimshëm deklaratat e tij.

“Mediat serbe qëllimshëm devijojnë deklaratën time lidhur me idenë time të themelimit të zonës ekonomike në pjesën veriore”, ka shkruar Pacolli.

Ai më tutje ka shpjeguar idenë e tij për krijimin e një zone të lirë ekonomike në veri të Kosovës duke thënë se ka nënkuptuar krijimin e kësaj zone me territore të përfshira proporcionalisht nga të dyja shtetet.

“Ideja ime nënkupton themelimin e zonës së lirë ekonomike që përfshin proporcionalisht territor nga Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë. Natyrisht në këtë mënyre vendoset kontroll në pjesën ku sot lulëzojnë bandat dhe krimi. Ekonomikisht vetëm kështu mund të ketë stabilitet dhe zhvillim ekonomik”, ka shkruar Pacolli.