Behgjet Pacolli në Komisionin për Punë të Jashtme- 19.12.2018 - FOTO KALLXO

Pacolli lajmet për tërheqjen e njohjes së pavarësisë nga 12 shtete i quan 'Fake news'

Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka deklaruar se procesi i dialogut Kosovë-Serbi po ndikon në perceptimet e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Dialogu dhe vetë alarmi i shpërndarë nëpër botë për dialogun ka ndikuar edhe te njohjet. Serbët taktikisht po e fuqizojnë rezolutën 1244. Ky është narrativi i krijuar nga serbët. Ne kemi marrë çdo masë t`u tregojmë shteteve se nuk është kështu”, deklaroi Pacolli para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme.

Pacolli tha se Republika e Kosovës i ka 116 njohje të dëshmuara me 116 nota verbale të shteteve që e kanë njohur Kosovën.

“Më duhet ta them se dy shtete të mëdha Nigeria dhe Uganda kanë dërguar nota verbale të shkruara nga presidentët e tyre që thonë se ne e njohim Republikën e Kosovës dhe fton që ne këtë ta jetësojmë me MPJ -në e tyre. Deri sot asnjëherë nuk është jetësuar ky dokument. Njohja nga Nigeria do të vije, me Ugandën nuk mund të di se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Ministri i Jashtë, Behgjet Pacolli po ashtu tha se Mozambiku është shtet tjetër që ka votuar kundër Republikës së Kosovës në Interpol.

“Jemi duke biseduar me Ugandën. Kenia është duke e shqyrtuar me kujdes njohjen e Kosovës. Njohjet nuk janë diçka që shkon e kryen dhe kthehesh te shpija.  Kemi pasur edhe çalime sa i përket njohjes. Nuk është në rregull ta përmendni që 12 shtetet që sipas Serbisë e kanë hequr njohjen ndaj Kosovës”, tha Pacolli.

Ai tha se përveç Ujdhesave Solomane nuk ka ardhur asnjë shkresë prej ndonjë shteti tjetër se e kanë tërheq njohjen ndaj Kosovës.

“Guinea Bisau nuk e ka tërhequr njohjen. Liberia, një ministër i Jashtëm në Beograd tha se nuk e njohim Kosovën por e vërteta është ndryshe. Unë vetë kam qenë atje kam biseduar me presidentin, ambasadori ynë është pranuar atje. Domenika dhe Granada, është përfol edhe për këto se e kanë hequr njohjen por ka qenë Fake news. Madagaskari ka qenë një shtet me të cilin kemi punuar shumë dhe e kemi siguruar njohjen. Njohja nuk është tërhequr por i kanë ngrirë marrëdhëniet me të gjitha palët deri në përfundim të dialogut, por tërheqje të njohjes nuk ka pasur”, ka deklaruar Pacolli gjatë raportimit të tij në Komisionin pë Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ai lidhur me deklaratat e zv/kryeministrit Enver Hoxhaj “se ka shtete që e kanë hequr njohjen për Kosovën”, tha se “Më vjen keq, unë nuk e di çka ka thënë. Ai ndoshta e din më mirë, por unë e paraqita ekzakt situatën si është. Unë do ta pyes, por në letra tjera për ç`njohje nuk kemi marr”.

 

https://kallxo.com/pacolli-e-nis-raportimin-e-tij-duke-arsyetuar-mungesat-ne-komisionin-per-pune-te-jashtme/

https://kallxo.com/behgjet-pacolli-nuk-duroj-te-ofendohem/

 

.