Foto: MPJ

Pacolli e fton Presidentin e Guinea Bissau ta vizitojë Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar presidentin e Guinesë Bissau, Jose Mario Vaz.

Siç njofton ministri i Jashtëm, Kosova është e interesuar që ta thellojë bashkëpunimin me këtë shtet i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar.

Tutje, kryediplomati kosovar tha se ftoi presidentin Mario Vaz që të vizitojë Kosovën.

“Në takimin bilateral që zhvillova me presidentin e Guinesë Bissau, z.Jose Mario Vaz, folëm për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona. Presidentit Vaz i shpreha falenderimet e mëdha të popullit të Kosovës për mbështetjen e tyre në secilën fazë të avansimit të shtetit tonë. Republika e Kosovës është e përkushtuar që të vendos dhe thellojë marëdhëniet diplomatike me qdo vend të botës andaj jam shumë i lumtur që ne këtë drejtim jemi në rrugë të drejtë. Propagandat e hedhura nga ndonjë fqinj i Kosovës në kurriz të qëndrimit të shtetit të Guinesë Bissau, nuk ishin fare pjesë e diskutimit me presidentin Vaz, i cili pranoi me dëshirë ftesën për të vizituar Kosovën”, ka thënë Pacolli

Më herët Pacolli njoftoi se e ka takuar edhe George Weah, President i Liberisë dhe fitues i topit të artë në futboll në kohën kur ishte futbollist profesionist.

Pacolli tha se nga Weah mori përkrahje dhe e njoftoi për kombëtaren e futbollit të Kosovës.

“Në Dakar të Senegalit ku po marr pjesë në inaugurimin e presidentit, takova edhe presidentin e Liberise George Weah. Presidenti Weah i cili është edhe mik i vjetër i imi, edhë njëherë rikonfirmoi mbështetjen e parezervë të vendit të tij për Republikën tonë. presidentin Weah, dikur fitues i topit të artë të Evropës në futboll, e informova për ecurinë e djelmoshave tanë tê kombëtares së futbollit, duke i përmendur edhe rekordin e vendosur pa humbje. Kënaqësi dhe krenari e madhe që me këto rezultate të mrekullohet edhe një kampion si Weah”, tha Pacolli.

Liberia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në maj të vitit 2008.