Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli

Pacolli: Duhet trajtuar droga e fortë që është propaganda e ekstremizmit

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar përsëri duke thënë se kthimi i 110 shtetasve kosovarë nga Siria është një lajm i madh humanitar, mirëpo ‘problemi më i madh është çka tash?’, pyet ministri.

Në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Pacolli ka shkruar se të rikthyerit nga Siria ‘do të trajtohen me një program riintegrimi njëjtë sikur ata që kanë varësi nga droga’.

“Drogë e fortë është propaganda e ekstremizmit. Familjet duhet të mbështeten fuqishëm edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Ata që ishin në front duhet të analizohen dhe të mbahen në mbikqyrje ligjore. Ne nuk kemi luksin as me lejuar qarkullimin e lirë të kriminelëve potencialë, helmimin e rinisë sonë prej tyre, por as hedhjen në kosh të dhjetra jetëve njerëzore, viktima të një propagande globale shumë dinake!”, ka deklaruar ministri.

Tutje Pacolli ka theksuar se Kosova duhet të shndërrohet në shembull për adresimin e këtij problemi.

“Ne duhet më në fund të analizojmë pse ndodhi ajo që ndodhi, gabimet tona si shtet, ato të miqve tanë, të edukimit të familjeve, në raportin e shtetit me fenë! Kurrsesi nuk duhet të na ndodhë më ajo që ndodhi! Kosova nuk duhet ta humbë boshtin perëndimor të përparimit të saj!”, ka shtuar ai.

Më herët, ministri Pacolli kishte shkruar në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ku kthimin e 110 shetasve kosovarë nga Siria e kishte cilësuar si shembull për Koalicionin Global.

https://kallxo.com/pacolli-me-kthimin-e-kosovareve-nga-siria-vendosem-shembull-per-koalicionin-global/