Serbeze Dança, e shtrirë në spital

Pacientja me leukemi kërkon shërim, shteti ofroi mundësi shërimi për pushtetarët e pasur

Serbeze Dança, 61 vjeçare nga Peja vuan nga sëmundja e Leukemisë Myelofibroze.

Serbezja e cila që nga mosha 16 vjeçare ka punuar si rrobaqepëse sot ka mbetur në mëshirën e fatit për të luftuar me sëmundjen e saj.

Në familjen e Serbezes punon vetëm djali i saj Ylli. Ai ka një dyqan privat në të cilin bën prerjen e flokëve për meshkuj. Tashmë burri i saj është pensionist dhe gjendja e tyre financiare nuk ua mundëson sigurimin e terapisë.

Djali i saj Ylli thotë për KALLXO.com se nëna e tij ka dhënë kontribut edhe gjatë luftës në Kosovë. Ai thotë se ajo ka qepur rrobat e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës për ‘Brigadën 111’, ndërsa sot troket në dyert e Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar terapi për sëmundjen e saj.

Serbeze Dança, e shtrirë në spital

“Kam kërku sigurimin e një ilaçi që quhet jakavi (roxulitinib) 20mg, po çdo herë përgjigja ishte jo, edhe pse një kimioterapi tjetër e blej nga ana e ime me buxhetin tim. Dokumentacioni që unë e kam tregon që ky preparat nuk gjendet brenda barnatores qendrore në QKUK”, thotë Ylli Dança.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është formuar një komision prej tre mjekëve të cilët kanë thënë se pacientja nuk mund të trajtohet aty për shkak të mungesës së barnave. Prandaj është referuar për trajtim jashtë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Humbja e kohës është humbje për nënën time”, thotë Ylli.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë thotë se ky bar nuk bën pjesë në listën e barnave esenciale prandaj edhe nuk është e mundur që të sigurohet për pacienten.

“Ministria është në proces të revidimit të Listës së Barnave Esenciale dhe, pjesë e propozimeve për t’u përfshirë në listën e re që pritet të miratohet pasi të kenë përfunduar punën me të Komiteti teknik, është edhe ky ilaç”, thuhet në përgjigjet e MSh-së.

Përderisa në Kosovë ka qytetarë që kërkojnë vetëm trajtim me barna nga shteti, Qeveria e Kosovës ka ndarë qindra, mijëra euro për politikanë që kanë pasur nevojë për trajtim mjekësorë.

Në muajin qershor të vitit të kaluar Qeveria ka ndarë 30 mijë euro për shërimin e Bujar Bukoshit i njohur si ish-kryeministri në ekzil, por kjo nuk ishte hera e parë që Qeveria ndante para për Bukoshin. Edhe në vitin 2017 ishin ndarë 30 mijë euro të tjera. Ndërsa deklarimi i pasurisë nga Bukoshi flet për gjendjen e tij të mirë financiare.

Në fund të vitit 2017 qeveria kishte ndarë 35 mijë euro për shërimin e deputetit Bardhyl Meta nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe pse gjendja financiare e Metës është më e mirë se e çdo qytetari tjetër nevojtarë. Në vitin 2015 Meta kishte deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 650 mijë eurove dhe një banesë në vlerë prej 300 mijë eurove.

Kuvendi i Kosovës, ka ndarë 18 mijë euro për shërimin e Xhavit Halitit. Haliti në kohën kur Kuvendi për të i ndau 18 mijë euro nga taksat e qytetarëve të Kosovës kishte para të kursyera në bankë hiq më pak se 128 mijë euro, të cilat ai vet i ka deklaruar në AKK.

Derisa vlera e pasurisë së paluajtshme e deklaruar nga Haliti arrin vlerën 1.3 milion eurove.

Së fundmi Qeveria Haradinaj ndau shumën prej 15 mijë eurove për familjen Daci, pas vdekjes së Arianit Dacit zëvendësministër i Diasporës dhe djali i akademik Nexhat Dacit.

 

https://kallxo.com/30-mije-euro-tjera-per-sherimin-e-bujar-bukoshit/

 

 

https://kallxo.com/qeveria-jep-30-mije-euro-per-sherim-te-bujar-bukoshit/

.