Pacientët dhe mantelbardhët të rrezikuar nga infeksionet intraspitalore

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në shënimin e ditës së të drejtave të pacientëve organizoi një tryezë diskutimi mbi sigurinë e pacientëve gjatë marrjes së shërbimeve.

Bashkë me përfaqësues nga Ministria dhe organet kyçe të shëndetësisë së vendit u diskutua siguria nga infeksionet e fituara gjatë kujdesit shëndetësorë.

Lul Raka profesor i mikrobiologjisë tha se gjatë punës ekziston mundësia e kanosjes se rreziqeve jo vetëm ndaj pacientëve por edhe stafit.

Ai tha se punëtorët shëndetësorë duhet të jenë të imunizuar dhe të jenë të mbrojtur, sipas tij është shteti ai që duhet të mendoj për këtë çështje.

“Deri vonë as institucionet nuk i kanë kushtu kujdes infeksioneve të punëtorëve shëndetësore, janë sfidë e shëndetësisë moderne dhe tregues i shërbimeve që ofron një institucion, pra sa ma shumë infeksione cilësia e shërbimeve është më e ultë”, tha ai.

Sipas Rakës infeksionet janë shkaktarë edhe i vdekshmërisë dhe mund të përhapen në komunitet.

Nga ana tjetër Fadil Kryeziu nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve tha se çdo qytetar duhet të gëzojë të drejtën për të pasur qasje në shërbime të sigurta shëndetësore.

“Shëndeti është i garantuar me kushtetutë dhe pacientët gëzojnë të drejtën të jenë të mbrojtur nga infeksionet”, tha Fadil Kryeziu përfaqësues i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve.

Genc Ymerhalili nga Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor tha se në vitin 2016 është bërë një studim i cilësisë në 12 komuna.

“Ky studim ka përshi aspektet strukturore si higjiena dhe kënaqshmërinë e pacientit”, tha ai.

Në bazë të këtij studimi është parë nevoja që të merren masat me programe të parandalimit të infeksioneve me profesionistë shëndetësorë.

Doktoresha Nora Krasniqi nga Inspektorati Shëndetësorë tha se gjatë vitit 2018 janë kryer disa inspektime.

“Të gjeturat kanë qenë mjaftë të diskutuara, është hartuar një raport përmbledhës, është njoftuar ministri dhe drejtori i QKUK-së”, tha ajo.

Sipas saj QKUK me 2 mijë shtretër kontrollohet nga vetëm tre infermierë që kanë për detyrë raportimin mbi rastet e infeksioneve spitalore e që sipas saj kjo është ngarkesë e madhe për ata.

Në të kaluarën Krasniqi tha se QKUK nuk ka pasur kontratë me asnjë kompani për dezinfektimin e sallave operative.

Sipas saj Inspektorati ka rekomanduar që salla e operimit në kirurgji plastike që ka më së shumti raste të raportuara të infeksioneve spitalore të mos përdoret për operime edhe nga klinikat tjera.

KALLXO.com ka raportuar se në QKUK ka pasur mungesa elementare për mbajtjen e higjienës, përfshirë shamponë dhe letra, dorëza sterile e të tjera.