Paçarada: Edhe Mjekët Pësojnë nga Pacientët

Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë tha sot se kur mjekët po gabojnë gjatë punës së tyre ndaj pacientëve, kjo po bëhet e  madhe, e kur mjekët po pësojnë lëndime nga pacientët, askush nuk po merret me to.

“Pacientja gjatë lindjes e ka lënduar mjeken. Ajo tash e ka dorën në gips dhe nuk e kemi bërë të madhe”, tha Myrvete Paçarada – drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë.

Por ajo e arsyeton pacienten, për shkak se ka qenë në situatë të vështirë. Megjithatë, ajo thotë se nuk është rasti i parë kur mjekët pësojnë nga pacientët.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë konferencës kur po prezantohej donacioni prej 11 shtretërve për Klinikën e Gjinekologjisë dhuruar nga Qeveria e Luksemburgut.

Ambasadori i Luksemburgut në Kosovës Pierre Weber tha se paratë e taksapaguesve të Luksemburgut po shfrytëzohen për një qëllim të mirë në Kosovë.

“Jam shumë i kënaqur që me ndihmën e profesionistëve edhe përmes ndihmës materiale si nga Qeveria e Luksemburgut, është bërë diçka e mirë që edhe mund ta vëresh në shifra dhe numra, sepse është ulur vazhdimisht vdekshmëria e foshnjave dhe nënave”, tha ambasadori Weber.

Curr Gjocaj – Drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) e vlerësoi si shumë të dobishëm donacionin.

“Duket modeste kjo e sotmja por është jashtëzakonisht e rëndësishme. Bëhet fjalë për shtretër të cilësisë së lartë ku do të lindin nënat tona tashmë me standard si është më i miri i mundshëm në Evropë”, tha Gjocaj.

Drejtoresha e kësaj Klinike, Myrvete Paçarada, tha se shtretërit janë të rëndësishëm, sepse në të kaluarën ka ndodhur që dy gra të shfrytëzojnë një shtrat.

“Nëse është nevoja do ta pranojmë, mund të rrijë disa orë me ndonjë shoqe derisa të lirohet shtrati, sepse gratë lindin dhe shkojnë në shtëpi. Por sigurt që nuk e lëmë askënd para derës që ka nevojë të pranohet” tha Paçarada.

Për më tepër, ky donacion është dhënë nga Qeveria e Luksemburgut në kuadër të projektit “Partneriteti për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovë”, në bashkëpunim me UNFPA-në, UNICEF-in, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.