Ndërtesa e Komunës së Pejës, 04 Qershor 2015. Foto: Atdhe Mulla.

Pa drejtor dhe me ‘xhepa’ bosh, teatri ‘Istref Begolli’ pret festat e fundvitit

Teatri “Istref Begolli” i qytetit të Pjesë ka kohë që është pa drejtor, përderisa komuna ende nuk ka vendosur që të hapë konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Duke mos i mjaftuar problemet me të cilat është duke u përballur ky teatër për vite me radhë, sidomos në aspektin financiar, Komuna e Pejës ende nuk e ka parë ‘të arsyeshme’, hapjen e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të ri të teatrit “Istref Begolli”.

Bile as kërkesa zyrtare e drejtorit të Departamentit të Kulturës së Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, drejtuar zyrës së personelit të kësaj komuna, nuk ka bërë ‘punë’, duke e lënë ‘Istref Begolli”, për një kohë të gjatë pa të parinë e tij.

Duke folur rreth problemeve që po përballet Teatri i Pjesë, “Istref Begolli”, dhe hapjen e konkursit për drejtor, Engelbert Zefaj, drejtor DKRS të Komunës së Pejë ka pohuar për Kallxo.com se në cilësinë e drejtorit, zyrtarisht t ‘i ketë kërkuar nga zyrës për personel në Komunën e Pejës që të hapet konkursi për pranimin e drejtorit menaxherial të teatrit.

“Edhe pse kam insistuar disa herë, shefi i zyrës së personelit nuk më njofton se përse nuk po hapet konkursi! Nuk e di arsyen përse nuk hapet konkursi dhe nuk e di se kur do të zgjidhet ky problem”, ka thënë Zefaj.

Pazbatueshmëria e ligjit për teatrin

Sipas Zefajt, implementimi i ligjit për teatro është sfidues për teatrin e Pejës, megjithatë teatri e ka në funksion Këshillin Drejtues, ka një trup prej 8 aktorësh, një staf mbështetës prej 7 punonjësve, mjedis solid për punë, kushte të mira për publikun, dhe , siç shprehet ai më tej, çdo vit vepron duke u bazuar në një repertor të aprovuar nga Këshilli Drejtues i Teatrit.

Zefaj ka potencuar se është ligji aktual për teatrot dhe problemet financiare ato që më së shumti krijojnë probleme kur është në pyetje teatri i Pejës.

“Ligji kërkon që teatri të ketë së paku 10 aktorë të punësuar të përhershëm! Por sipas ligjit të financave publike, komunat nuk kanë mundësi të krijojnë vende të reja pune për aktorët dhe as që të krijojnë kod për paga për trupën e teatrove. Ky obligim i takon ministrisë së financave. Si pasojë nuk mund të bëjnë rekrutimin e aktorëve”, ka potencuar drejtori Zefaj.

Vështirësitë financiare

Çdo shfaqje, ka thënë ai më tej, përveç aktorëve dhe stafit menaxherial, kërkon angazhimin e regjisorit, skenografit, muzicientit, kostumgrafit, dhe materialit për skenë dhe promovim.

“Në mungesë të një kodi financiar për të mbuluar kërkesat e programit artistik, komuna e Pejës po mundohet ta mbuloj këtë obligim me anë të subvencioneve. Por fondi i subvencioneve është i vogël dhe nuk mjafton që të mbulohen kërkesat e teatrit”, ka potencuar Zefaj.

Ndërsa ka thënë se në teatër janë bërë vazhdimisht investime, edhe për vitin 2019 janë planifikuar investime tjera për rinovimin e skenës së teatrit.

Ndërkaq sa i përket ansamblit dhe mundësi që teatri Istref Begolli të ketë një ansambël të aktorëve siç e kërkon ligji, drejtori i DKRS të Pejës, Zefaj ka pohuar se Komuna ka shpreh gatishmërinë që së bashku me ministrinë e kulturës t’i ndajnë shpenzimet për funksionimin e teatrit që do të thotë edhe angazhimin e përhershëm të trupës së teatrit.

“Kam shpresa të mëdha se gjatë vitit 2019 do të arrihet një pajtim në këtë pikë”, ka thënë ai në një prononcim për kallxo.com.