Osmani: S’ka Transformim Funksional pa SHBA-në dhe NATO-n

Vjosa Osmani në një deklaratë për medie para nisjes së mbledhjes së Kuvendit në lidhje me Projektligjin për FSK-në, edhe pse e përkrahu transformimin e kësaj force në ushtri, kërkoi që ky proces ta ketë mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s.

“Ky është një proces që patjetër kërkon involvimin e SHBA-ve dhe NATO-s si hisedarë të mëdhenj në krijimin e FSK-së në trajnimin e FSK-së dhe përgatitjen e tyre. E pamundur të kemi një transformim funksional në qoftë se SHBA-në dhe NATO-n nuk e kemi në krah”, tha Osmani.

Ajo pati porosi edhe për Presidentin Thaçi që nisi procesin e transformimit të FSK-së me anë të projektligjit dhe pa ndryshimet kushtetuese.

“Presidenti të mos mendojë që detyra e tij është kryer me hartimin e një ligji. Detyra e Presidentit arrihet kur arrihet uniteti i qytetarëve për secilën çështje të caktuar dhe po ashtu kur arrihet koordinimi me SHBA-në dhe NATO-n”, tha Osmani.

Megjithatë Osmani përkrahu dhënien e kompetencave shtesë të FSK-së nëpërmjet projektligjit.

“Ju e dini që ka një kohë që kam deklaruar se çështjet e kompetencave të Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndryshojnë edhe me ligj. Pra unë mendoj që në momentin kur janë shterë të gjitha mundësitë që të binden deputetët serbë, atëherë hapet rruga që kjo çështje të bëhet me ligj”, tha Osmani.

Ajo kërkoi që gjuha e përdorur në projektligj të mos lë shteg për atakim të tij në Gjykatën Kushtetuese.

“Duhet të kemi shumë kujdes në lidhje me gjuhën që përdoret në ligj dhe për këtë duhet të kontribuojmë secili prej nesh që të eliminohet pastaj secila mundësi që ai ligj të atakohet në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani.

Pardje Presidenti Thaçi Projektligjin për FSK-në ia dërgoi kryeparlamentarit Veseli, ndërsa dje Kryesia e Kuvendit këtë projektligj ia çoi për mendim Qeverisë së Kosovës.

Zyra e Kryeministrit sot me anë të një komunikate e përkrahu nismën e Presidentit Thaçi, ndërsa dje kundër kësaj iniciative u deklaruan ambasada e SHBA-së dhe NATO-ja.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/

http://kallxo.com/shba-e-shqetesuar-me-projektligjin-e-ri-per-fsk-ne/

http://kallxo.com/qeveria-mbeshtet-presidentin-per-fsk-ne/