OSBE e përkushtuar ta ndihmojë RTK-në

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, në vazhdën e aktiviteteve për ta kundërshtuar përfshirjen e RTK-së në Ligjin për paga, sot ka takuar Senad Shaboviq, shef i Zyrës për çështje politike dhe komunikim në Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Arlinda Lahun, zyrtare nacionale e programit në Sektorin e mediave në Departamentin për Demokratizim.

SPERTK shprehu shqetësimin para përfaqësuesve të OSBE-së për përfshirjen e RTK-së në Ligjin për pagat, ku e konsideron të papranueshëm vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 2 shkurt.

Sindikata po ashtu u ka sqaruar përfaqësuesve të OSBE-së se vendosja e tavanit të pagave në RTK është dashur të përfshihej në Ligjin e ri të RTK-së, i cili duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që RTK të nxirret nga kjo gjendje jo e mirë në të cilën gjendet. SPERTK po ashtu e ka njoftuar OSBE-në se ka organizuar protesta dhe një peticion, ku shumica e kolegëve tanë e kanë nënshkruar në mënyrë vullnetare, e më pas i është dorëzuar Avokatit të Popullit.

SPERTK ka njoftuar po ashtu OSBE-në për kushtet jo të mira në të cilat punojnë kolegët tanë.

Zyrtarët e OSBE-së thanë së janë duke pritur se çfarë vendimi do të marrë presidenti Thaçi lidhur me dekretimin e Ligjit për paga, për t`i ndërmarrë hapat tjerë për ta ndihmuar RTK-në, sidomos për miratimin e ligjit të ri. Ata thanë së OSBE-ja mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë RTK-në në zgjidhjen e këtyre problemeve me të cilat po përballet./RTK/