Jonathan Moore, kreu i misionit të OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Foto: BIRN.

OSBE: Bosnja Shton Gjykimet për Dhunimet Seksuale Gjatë Luftës

Një raport i OSBE-së, “Arritja e Drejtësisë për Viktimat e Dhunës Seksuale në Konfliktet e Armatosura në Bosnjë dhe Hercegovinë”, i prezantuar sot në Sarajevë, thotë se sistemi gjyqësor i vendit gjatë tri viteve të fundit ka bërë më shumë përpjekje për të gjykuar çështje të dhunës seksuale të kohës së luftës.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016, rreth një e treta e çështjeve të krimeve të luftës para gjykatave boshnjake përfshinin dhunë seksuale, në krahasim me vetëm një të katërtën e çështjeve në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2013, thotë raporti.

Megjithatë, shumë viktima të dhunës të kohës së luftës vazhdojnë të kërkojnë ende drejtësi edhe dy dekada pas konfliktit, paralajmëron ai.

“Këto akte ndodhën më shumë se 20 vjet më parë. Fatkeqësisht, nuk është arritur shumë drejtësi. Viktimat ndihen sikur janë nën presione të ndryshme emocionale dhe të tjera. Kjo vlen edhe për gratë edhe për burrat”, tha Jonathan Moore, kreu i misionit të OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ambasadori i britanik në Sarajevë, Edward Ferguson, tha se ishte e nevojshme të punohet për të mësuar të vërtetën për viktimat me qëllim që të eliminohet ndjenja e stigmatizimit.

“Ne po punojmë që të sigurojmë qasje në drejtësi për viktimat. Për herë të parë viktimat kanë mundësinë të marrin kompensim sipas një vendimi gjyqësor dhe që kompensimi t’u paguhet nga abuzuesit e tyre”, tha Ferguson.

“Ne shpresojmë që ky proces t’i inkurajojë edhe më shumë viktimat që të dëshmojnë dhe të këmbëngulin për të arritur drejtësi”, shtoi ai.

Raporti thotë se prokurorët dhe gjyqtarët kanë zbatuar standardet ndërkombëtare në një mënyrë më të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.

Në shumicën e vendimeve, ata përdorin praktikat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në një përpjekje për t’u siguruar që autorët e krimeve të tilla të mos mbeten të pandëshkuar.

“Është kënaqësia ime të shoh rezultate pozitive sa i përket një numri më të madh rastesh të procesuara dhe të diversitetit më të mirë të qasjeve ligjore të përdorura”, tha Michaelle Jarvis, zv/prokurore në ICTY.

“Kjo lloj çështjeje përbën ende një sfidë sa i takon shpalljes së përgjegjësisë. Para nesh kemi ende shumë sfida, sepse një sërë viktimash po presin ende për drejtësi”, shtoi Jarvis.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës gjykoi 36 çështje krimesh lufte që përfshinin elementë dhune seksuale.

Këtë vit kanë filluar katër gjyqe që përmbajnë elemente të dhunës seksuale.