Organizohet panairi i automjeteve për herë të dytë

Shoqata e Importuesëve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë e specializuar për organizim të evenimenteve “MODUS”, do të organizojnë panairin e Automjeteve “Prishtina International Autoshow”, për herë të dytë.

Panairi do të mbahet në sallën e Panaireve në Shkabaj (magjistralja Prishtinë – Mitrovicë), me datat 02 deri me 05 Maj 2019, duke filluar nga ora 10:00 deri në 20:00 gjatë javës, kurse në fundjavë duke filluar nga ora 09:00 deri në 20:00.

“Në edicionin e dytë të panairit, i cili është më ndryshe se të gjitha panairet e mbajtur në Kosovë, do të prezantohen 23 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja, modele nga fjala e fundit e teknologjisë dhe inovacionit nga industria e automjeteve botërore. Të pranishëm në këtë panair do të jenë brendet: Audi, BMW, Citroen, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Jaguar, Jeep, Kia , Lexus, Land Rover, Mercedes, Nissan, Opel, Peugeot, Porche, Renault, Skoda, Suzuki, Seat,  Toyota, dhe Volkswagen”, thuhet në një njoftim për media.

 Tutje thuhet se Bujar Hoxha, kryetar i Shoqatës së Importuesëve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR), tha se në këtë panair do të marrin pjesë pothuajse të gjitha brendet që shiten dhe distribuohen në Kosovë.

“Do të prezantohen modelet më të reja, të cilat deri më tani qytetarët nuk kanë pasur mundësinë që t’i shohin. Ashtu si dhe në edicionin e parë, do të ketë prezantime speciale, oferta atraktive dhe shumë gjëra interesante për të pranishmit”, tha ai.

Kurse Ekrem Tahiri, nga kompania MODUS, tha se është kënaqësi që përsëri të organizosh diçka të tillë siç është “Prishtina International AutoShow”.

“Ne jemi duke punuar ne shume drejtime që Autoshoë të jetë një ngjarje shumë interesante dhe  shume atraktive për të gjithë vizitoret e te gjitha moshave dhe jo vetëm për adhuruesit e Autmobilave”, përfundoi ai.

Në njoftim thuhet se përveç automjeteve që do të zënë pjesën kryesore të hapësirës prej mbi 3000 m2, do të jenë prezente edhe kompani të tjera të cilat kanë lidhje me industrinë e automobilizmit si banka e institucione financiare, kompani të paisjeve, vajrave dhe aksesorë për automjete por nuk do të mungojë as aspekti argëtues si muzikë, pije dhe ushqime të ndryshme.

Po ashtu hyrja në panair do të jetë falas dhe mbështetet edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.