Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike | Foto:KALLXO.com

Organizatat Buxhetore-12 Milionë të Humbur në Gjyqe

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015 u paraqit sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani tregoi se vjet ka pasur rritje të pagesave të drejtpërdrejta nga thesari si pasojë e vendimeve gjyqësore.

Pagesa prej 12 milionë eurove për këto vendime sipas Osmanit është një moskujdes nga organizatat buxhetore që të veprojnë në kuadër të kornizave dhe obligimeve ligjore që kanë.

Osmani tha se institucionet nuk po zbatojnë një pjesë të rekomandimeve të auditorit,ndërsa kërkoi nga qeveria hartimin e planit për zbatimin e tyre.

“Ne kemi dhënë 1,170 rekomandime ku 403 prej tyre janë fare të paadresuara, ne do të dëshironim që qeveria të ketë një plan për impelementimin e tyre,” tha Osmani.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha në mbledhjen e komisionit se është formuar një këshill që do të mbikëqyrë zbatimin e rekomandimeve të auditorit.

“Ajo të cilën do e shpalos para juve sot është formimi i një këshilli që do të përfshijë qeverinë, Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Auditorin e Jashtëm dhe trupat tjerë qeveritarë që do të mbikëqyrin realizimin e rekomandimeve të auditorit dhe unë shpresoj se me funksionalizimin e këtij këshilli vitin e ardhshëm do të kemi më shumë adresime të rekomandimeve,” tha Hoti.

Auditori Osmani më tutje dha vërejtje për keqklasifikimin e shpenzimeve dhe menaxhimin e dobët të personelit nëpër organizata buxhetore.

“Afërsisht 25 milion euro të investimeve kapitale janë keqklasifikuar në shpenzimin e mallrave dhe subvencioneve. Kemi nevojë që të rrisim performancën në menaxhimin e personelit tek organizatat buxhetore. Janë shqetësuese mbulimi i pozitave me ushtrues detyre dhe lidhja e kontratave të shumta për shërbime të veçanta,” tha Osmani.

Këtyre vërejtjeve të Osmanit iu përgjigj ministri Hoti.

“Ne kemi analizuar me kujdes raportin e auditorit, krahasuar me vitin 2014 ka një tendencë të përmirësimit të menaxhimit të financave nëpër institucionet buxhetore,” tha Hoti.

Edhe auditori Osmani tha se “vitin e kaluar kemi pasur performancë më të mirë të të hyrave në të gjitha institucionet për 16 për qind”.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike Faton Topalli shprehu shqetësim për vërejtjet që dha auditori.

“Ajo që më shqetëson më së shumti janë që rekomandimet e auditorit të përgjithshëm nuk po implementohen dhe që vazhdimisht qeveria nuk ka plan për implementim. Kjo po ndodh që sa vite, nuk ka pasur plan duke filluar që nga viti 2011 e tutje,  nuk ka plan as në vitin 2015, e tash shtrohet pyetja nëse shtrohen të gjitha këto rekomandime, atëherë për çfarë po bëhet e gjithë kjo punë,” tha Topalli.

Pyetjet tjera të deputetëve lidhur me menaxhimin e financave publike nga organizatat buxhetore mbetën të adresohen me shkrim në ministritë përkatëse.