Foto: Kallxo.com

ORCA: Realiteti i paraqitur nga Konferenca e Rektorëve është i shtrembëruar

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA) gjatë ditës së sotme i ka dërguar raportin e monitorimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi.

Përmes këtij raporti, ORCA ka konstatuar se Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk e ka shkelur legjislacionin në fuqi bazuar në tendenca politike apo mungesë profesionalizmi.

Por sipas tyre, ‘mundësia që të jetë përvjedhur ndonjë gabim si nga anëtarët e KShC-së apo edhe nga monitoruesit e ORCA-s, mund të përmirësohet përmes ushtrimit të ankesës nga të gjitha institucionet e pakënaqura në Komisionin e Ankesave pranë AKA-s’.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci ka deklaruar se përmes kësaj komunikate do të japin të dhëna që sqarojnë situatën e krijuar mes Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë sepse ‘realiteti i paraqitur nga Konferenca e Rektorëve është i shtrembëruar’.

Në komunikatë thuhet se pas një analize të kujdesshme ORCA ka arritur të identifikojë disa pretendime kryesore të Konferencës së Rektorëve.

“Konstatimi i ORCA-s nga monitorimi i takimeve të AKA në datat 15-16 janar 2019: AKA përmes kompanisë që e mirëmban e-akreditimin e ka verifikuar (më datë 15 janar gjatë mbledhjes) vërtetësinë e pretendimit se disa profesorë kanë pasur vështirësi në regjistrim. Me të marrë vesh se 41 rastet e pretenduara kanë provuar të regjistrohen, AKA ka vendosur që t’i shqyrtojë dosjet fizike të tyre.”, thuhet në komunikatë.

https://kallxo.com/universitetet-publike-kerkojne-shkarkimin-e-anetareve-te-kshc-se-dhe-riakreditimin-e-programeve-te-kaluara/

Më pas, pretendimi tjetër se tërheqja e akreditimeve për programet ekzistuese që nuk i kanë 3 doktorantë(PhD) të fushës pa bërë vlerësim nga ekspertët.

“Programet që tashmë janë akredituar kalojnë çdo vit në kontrollin e plotësimit të kriterit bazik, atë të 3 PhD të fushës për program. Programet të cilat në të kaluarën janë akredituar pa e përmbushur këtë kriter apo të cilat në ndërkohë kanë pasur ndryshime të stafit dhe nuk kanë pasur staf kompetent nuk janë validuar, pra nuk u është vazhduar akreditimi.”, thuhet më tej në komunikatë.

ORCA gjithashtu ka theksuar se ‘tërheqja e akreditimit nënkupton se institucionet nuk kanë të drejtë të regjistrojnë studentë të tjerë’ por kjo nuk ndikon në studentët që tashmë kanë filluar studimet në ato programe.

https://kallxo.com/universitetet-publike-kerkojne-shkarkimin-e-anetareve-te-kshc-se-dhe-riakreditimin-e-programeve-te-kaluara/

Sa i përket pretendimit se akreditimi dhe riakreditimi është bërë pa vlerësim ekspertësh, sipas njoftimit nga ORCA, programet që u ka skaduar akreditimi dhe kanë aplikuar për riakreditim kanë kaluar vetëm në fazën e parë të akreditimit.

“Faza e parë nënkupton përmbushjen e kushtit bazik të 3 PhD të fushës për program. Në këtë fazë nuk ka dhe nuk duhet sjellë ekspertët.”, është thënë tutje.

Kur jemi tek pretendimet se KShC nuk ka kompetencë për ta bërë vlerësimin fillestar, ORCA ka konstatuar se ‘KShC është kompetente për të evidentuar nëse bartësit e programeve janë apo jo të fushës pasi për këtë nuk nevojitet ekspertizë’.

“Ekspertiza vjen në shprehje për të vlerësuar përputhshmërinë e programit të propozuar me aktivitetet mësimore të parapara brenda tij, fazë e cila do të ndiqet për të gjitha programet të cilat e kalojnë fazën e parë, atë të përmbushjes së kriterit për 3 PhD të fushës si bartës programi.”, është deklaruar përmes komunikatës së ORCA-s.

https://kallxo.com/dokument-kshc-iu-pergjigjet-rektoreve-nuk-i-plotesuat-kriteret/

Ndërsa kur jemi tek dyshimet në evidentimin e fushave të ngushta dhe përvojës së punës si përparësi ndaj fushës së gradës shkencore, ORCA ka konstatuar se çdo bartësi të programit përveç titullit i është evidentuar edhe tema e disertacionit’.

“AKA nuk mund të akreditojë programe duke marrë për bazë përvojën e punës pasi ligjet dhe udhëzimet kërkojnë që përveç përvojës bartësit e programeve të jenë edhe PhD të fushës.”.

Edhe për pretendimet se tashmë janë kërkuar katër profesorë për program studimi dhe se për programet ‘Edukim’, ‘Gazetari’ dhe ‘Infermieri’ nuk ekzistojnë studimet e doktoratës, ORCA ka konstatuar se edhe në të kaluarën është kërkuar një doktoraturë për 60 ECTS.

“I bie 3 PhD për një program Bachelor me 180 ECTS dhe dy PhD të fushës për një program Master me 120 ECTS. Pretendimi se tani kërkohen 4 PhD të fushës për program me 180 ECTS dhe se kjo është ndryshim i rregullave pas akreditimit fillestar është i paqëndrueshëm dhe i paprovueshëm nga palët pretenduese.”, thuhet në komunikatë.

https://kallxo.com/rektoret-para-komisionit-per-arsim-ne-excel-pame-vetem-ngjyren-e-kuqe/

Sipas ORCA-s, hulumtimi sipërfaqësor në programet e studimit në Universitetet evropiane ka treguar se ky pretendim është i paqëndrueshëm.

“Për të gjitha këto drejtime ofrohen studime të doktoratës. Nëse në Kosovë nuk ka të tillë, i bie që Kosova nuk ka kapacitete për të ofruar programe të tilla studimi, përveç nëse institucionet angazhohen në sjelljen e stafit.”, është shtuar tutje.

ORCA gjithashtu bëri thirrje që të gjitha palët e përfshira të kenë vëmendje të shtuar në procesin ndërkombëtar në të cilin po kalon Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila në fund të vitit të kaluar ka dorëzuar aplikimin e saj për riakreditim pranë ENQA-s.

Meqenëse vendimi për shqyrtimin e aplikimit të AKA do të merret në 3 muajt e ardhshëm, ORCA theksoi se ‘çfarëdo lëndimi i proceseve të brendshme të akreditimit mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme për AKA-në në nivel ndërkombëtar’.