ORCA: Publikimi shkencor në Universitetin e Prishtinës shënon rritje

Organizata ORCA sot publikoi analizën e saj me titull “Analizë e aktivitetit shkencor të profesorëve të Universitetit të Prishtinës sipas CV-ve të publikuara zyrtarisht – 2018”, përmes së cilës është paraqitur numri i punimeve në revista shkencore dhe revista të dyshimta për çdo fakultet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ndërkaq, prorektori për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha ka thënë se ky universitet nuk ka buxhet që ua mundëson kërkuesve të shkruajnë punime shkencore.

Sipas autores së kësaj analize, Adea Kondirolli, në vitin 2017, në UP kanë qenë 1 mijë e 320 punime, ndërsa në vitin 2018 numri i tyre ka arritur në 1 mijë e 735.

“Përmirësimi shënohet përmes përditësimit të CV-ve nga profesorët si dhe zbutja e kritereve nga këto dy rregullativa të reja siç është Udhëzimi Administrativ Parimet e Njohjes së Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recenzion, dhe Rregullorja për Procedurat Përzgjedhëse Lidhur me Emërimin, Riemërimin dhe Avancimin e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, kur jemi tek numri i punimeve shkencore të publikuara nga profesorët, përpjesëtuar me numrin e stafit akademik në vitin 2018 që është 465 profesorë, rezulton se një profesor në UP ka mesatarisht 3.7 punime. Kurse, vitin 2017 kjo mesatare ka qenë 2.7.

Prorektori për kërkime shkencore, Faton Berisha tha se profesorët universitar duhet të përditësojnë CV-të e tyre dhe se nuk duhet përqendruar vetëm në Universitetin e Prishtinës por edhe në të tjerë publikë e privat.

“Universiteti ka shumë për të bërë por mendoj që së pari profesorët duhet t’i përditësojnë CV-të, por të mos mbështeteni shumë vetëm në CV e arsimtarëve. UP edukon vetëm një fraksion të studentëve. Nuk e di si do të ishin rezultatet po të ishin marrë të gjitha universitete publike e aq më tepër ato private. Web of Science dhe Scopus dallojnë nga revistat tjera nëse kërkojmë që të rritet kualiteti për avancim të stafit dhe kriter të vlerave”, ka thënë ai.

Rreth kësaj çështje Adea Kondirolli tha se i kanë shkruar databazës së citimeve dhe abstraktëve të punimeve shkencore Scopus, për dyshimet e tyre në disa revista dhe se përgjigja e tyre ka qenë se ato janë futur në rivlerësim dhe se do të vendoset nëse do t’ua vazhdojnë indeksimin.

I pyetur se çfarë po bën universiteti për të hetuar profesorët të cilët po dyshohen apo akuzohen për plagjiaturë të cilët pavarësisht këtyre dyshimeve po vazhdojnë të kryejnë funksionin e njëjtë, prorektori tha se plagjiatura nuk është problem specifik i veçantë vetëm i UP-së por i të gjitha universiteteve.

“Nuk mund të thuhet se është plagjiarizëm nëse nuk e përkthen një libër ose e përshkruan fjalë për fjalë. Është duke u punuar në ndërtimin e mekanizmave për shembull është këshilli i etikës. Plagjiarizmi luftohet kur ai identifikohet me shkrim. Disa revista të reja po mbajeni kualitet të lartë dy apo tri vite dhe pastaj për arsye komerciale e lëshojnë kualitetin”, tha ai.

Meqenëse deri tani publikimet shkencore të studentëve apo profesorëve të UP-së janë iniciativa individuale me mjete vetanake, prorektori për kërkime shkencore u pyet se a parashihet të ketë buxhet që është i destinuar për këtë punë.

E për këtë, prorektori Berisha theksoi se ky lloj buxheti është inekzistentë në këtë universitet, madje edhe ai që tashmë ekziston është i mangët dhe se nuk pritet ndryshim në një të ardhme të afërt.

“Kërkuesit përveç që bëjnë punën akademike duhet të jenë edhe atraktiv për sponzorizuesit e kërkimeve. Stafi nuk duket i motivuar të shkruajë e të konkurrojë për kërkime të sponsorizuara. Universiteti ka më shumë partneritet me disa universitete amerikane se sa me ato evropiane”, përfundoi prorektori.

Sipas kësaj analize, tre fakultetet me më së shumti punime janë Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë. Ndërsa, në fakultetet tjera ka mungesë të punimeve shkencore.

ORCA kërkoi që menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës të trajtojë seriozisht mungesën e punimeve shkencore në shumicën e fakulteteve.