Prezantimi i hulumtimit të ORCA-s | Foto: KALLXO.com

ORCA: Gati Gjysma e Drejtuesve të UP-së nuk Justifikojnë Titujt

Sipas prezantimit të bërë nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në hulumtimin e CV-ve të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, 72 % e tyre nuk do t’i fitonin titujt aktualë nëse do t’i nënshtroheshin procesit të avancimeve sot.

Sipas Rron Gjinovcit, drejtor ekzekutiv ne ORCA, kur organizata filloi hulumtimin për CV-të e stafit akademik drejtues të Universitetit të Prishtinës, u kontrolluan 69 CV.

“Gati gjysma e drejtuesve të UP-së nuk i justifikonin titujt aktualë. Ata nuk arrinin t’i mblidhnin 1,3,5 punime shkencore siç kërkoheshin për titujt profesor asistent,profesor i asocuar dhe profesor i rregullt” tha Gjinovci.

Gjinovci po ashtu foli edhe procesin e ri të avancimeve akademike të cilin e përcolli ORCA nga muaji shkurt deri në muajin qershor 2017.

Organizata mori përsipër që për secilin kandidat të rekomanduar për avancim nga komisionet e ndryshme brenda fakulteteve të bënte një kontroll të punimeve të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare.

“Ky proaktivitet dha rezultate të papritura nga ne. Nga 74 kandidatët që ne i cilësuam të papërshtatshëm për titullin e pretenduar,70 nuk e morën atë. Ne parandaluam që 70 persona t’i afroheshin kontratës së përhershme të profesorit të rregullt”, tha Gjinovci.

Në këtë prezantim mori pjesë edhe profesor Jeffrey Beall, i cili tha se botimet shkencore janë bërë të paqëndrueshme.

“Transaksionet financiare mes autorëve dhe botuesve kanë çuar në korrupsion, në botim dhe në shkencë, kështu që ne duhet të gjejmë mënyrë për të rikthyer integritetin te revistat akademike”, tha Beall.

Ndërsa Fehmi Hysenaj nga kabineti i Ministrit të Arsimit tha se mashtrimi akademik po synon të bëhet trend global.

“Në shtetin tonë me sisteme të tranzicionit mashtrimi është duke u bërë dukuri e shpeshtë deri në fenomen. Kjo dukuri nuk është vetëm te studentët, por edhe te profesorët” tha Hysenaj.

Pas vitit 1999 rregullat për marrjen e titujve për sa i përket numrit të punimeve shkencore në revista ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar shumë.

Po ashtu, ky kriter përmban numra minimalë. Për të merituar titullin profesor-asistent nevojitet 1 punim, për profesor të asocuar 3 punime dhe për profesor të rregullt 5 punime.