ORCA del me strategji për mbështetje juridike për të pakënaqurit në avancime në UP

Kandidatët e pakënaqur me procesin e avancimit akademik në Universitetin e Prishtinës, nga sot kanë një derë të hapur për të kërkuar ndihmë apo mbështetje ligjore në rast se ata mendojnë se po u bëhet një shkelje apo një padrejtësi në këtë proces.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsimit (ORCA) sot ka lansuar një  strategji përmes së cilës po synojnë të ofrojnë  mbështetjes juridike për palët e mundshme që do të ankohen në procesin e avancimeve akademike në UP.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-së, Rron Gjinovci, tha se këtë vit kjo organizatë synon një proces transparent dhe llogaridhënës të avancimeve akademike në UP.

“Ne synojmë që procesi të jetë prapë transparent, meritokratik dhe llogaridhënëse. Synojmë që transparenca, meritokracia dhe llogaridhënia publike me u bo traditë e Universitetit. Nëse edhe ky proces shënohet i rregullt  kemi me i bind dhjetëra profesorë apo qindra që punojnë ne Evropë, të cilët nuk e kanë pa të arsyeshme të kthehen në vendin e tyre të kontribuojnë”,  deklaroi Gjinovci.

Ai tha se në të kaluarën ORCA dhe BIRN-i  duke publikuar fenomene të avancimit akademik kanë  arritur ta bindin Senatin të mos votojnë për 70 pozita për shkak të mos përmbushjes së kritereve për avancim

Ndërsa avokatja e ORCA-së, Rina Kika, tregoi se strategjia e cila parasheh mbështetje ligjore për palët apo kandidatë që i nënshtrohen procesit të avancimit përfshinë gjashtë hapa.

“Kjo strategji i përfshinë gjashtë hapa që ne i kemi paraparë. Hapi i parë është publikimi i një udhëzuesi i cili i parasheh hapat kryesor që duhet të ndiqen nga kandidatët të cilët pretendojnë që u janë shkelur e drejta dhe çështjet  që ata duhet ti kenë parasysh gjatë paraqitjes së ankesave”, tha Kika.

Avokatja Kika tregoi se pjesë e kësaj strategjie do të jenë edhe këshillat juridike  për kandidatët se si  t’i qasen një institucioni për ankesat e tyre.

“Hapi i dytë është takimi me palët ankuese  si dhe intervistomi i tyre dhe mbledhja e gjendjes faktike të rastit që ata i paraqesin. Hapi i tretë është analizimi i rasteve individuale dhe ofrimi i këshillave juridike se si ata duhet ti qasen institucioneve në vend në adresimin e ankesave të tyre individuale. Hapi i katërt është mbështetja publike e rasteve të cilat ORCA konsideron që ka pasur shkelje. Hapi i pestë është përcjellja e këtyre rasteve dhe në fund raportimi për fatin e këtyre rasteve”, tha Kika

Në këtë diskutim të organizuar nga ORCA, morën pjesë edhe profesor të UP-së, palë të pakënaqur të konkursit të vitit 2016 të cilët kanë dal publikisht dhe kanë denoncuar shkeljet ligjore që u janë bërë si dhe përfaqësues të stafit administrativ të UP-së. Aty u diskutua edhe për problemet tjera që hasen në Universitetin e Prishtinës  “Hasan Prishtina”.

Emisioni Jeta në Kosovë pati raportuar për avancimet e dyshimta në Fakultetin e Mjekësisë së UP-së, me të cilin hulumtim pati nxjerr në pah se si Senati i Universitetit të Prishtinës, ka përzgjedhur kandidatin me kritere më të ulëta sesa  kandidatja Rozafa Koliqi e cila aso kohe ishte e vetmja specialiste në Kosovë për farmaci klinike.

Pas këtij hulumtimi, Prokuroria për Krime Ekonomike ka filluar hetime ndaj tre personave nën dyshim se kanë kryer vepra penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

http://kallxo.com/prokuroria-nis-hetimet-ne-rastin-e-rozafa-koliqit/