'Optimizëm' rreth ri-anëtarësimit të Kosovës në EQAR

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), ka mbajtur tryezë për diskutim të Raportit të Vetëvlerësimit të AKA-së, për vlerësim nga ENQA.

Zëvendës-shefi i zyrës së BE-së, Riccardo Serri, tha se BE-ja është e impresionuar nga anëtarët e bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për Arsim, pasi sipas tij për një kohë të shkurtër kanë ndërmarrë veprime.

“Duam që t’u përgëzojmë që nga fillimi për punën e madhe që keni bërë deri më tani. Kjo kërkon afat kohor, por unë vetë dhe Apostolova dhe kolegët e mi jemi të impresionuar me zotimin, përkushtimin që keni ndërmarrë deri më tani që nga emërimi i juaj në qershor, keni bërë hapat e parë në ri licencimit dhe anëtarësimit në organet e rëndësishme të BE-së”, tha ai.

Ai po ashtu shtoi se në bazë të informatave të marra kanë kuptuar se janë rritur kriteret për akreditim të programeve.

Serri shtoi se arsimi mbetet një prioritet kryesor për Bashkimin Evropian.

“Arsimi është fusha më e rëndësishme, njëra nga 3 shtyllat e agjendës evropiane të BE-së dhe jemi duke punuar në programe të reformave evropiane, një mision që ka arrit në Kosovë dhe do ketë takime në ditët e ardhshme ku do diskutohet për arsimin në Kosovë. Ndryshimet në arsim nuk ndodhin brenda natës, kërkohet kohë para se të arrihen rezultate të prekshme”, tha Serri.

Menaxherja e Programit të Arsimit në Agjencionin Austriak për Zhvillim, Albulena Zaimi, tha se bordi i ri ka arritur të ketë rezultate të mira për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

“Ky raport reflekton jo vetëm trashëgimin e institucioneve, por edhe përpjekjet e vazhdueshme që menaxhmenti po bën për të përmirësuar rolin e agjencisë dhe të profilizojnë edhe më tutje. AKA është drejtuesi kryesor për arsimin e lartë në Kosovë dhe jemi te kënaqur që bordi i ri ka mundësuar proceset që të ecin përpara edhe për akreditimet”, tha ajo.

Kurse, kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni tha se raporti për ri anëtarësim në EQAR është përmbajtjesor.

“Ky raport tregon se ne e kemi pasur prioritet kryesor riantarësimin e Kosovës në EQAR. Ne kemi bërë punë të mirë,  një raport të mirë strukturuar dhe  gjithëpërfshirës dhe kjo tregon se AKA i përmbush të gjitha kriteret”, tha Luboteni.

Arta Jakupi, anëtare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tha se qëllimi i KSHC-së është të jemi sa më afër dhe të qasshëm për institucionet e arsimit të lartë dhe për të gjithë studentët.

Avni Gashi, u.d. drejtor i AKA-së prezantoi raportin duke thënë se njëra ndër kritikat e EQAR-it ka qenë mungesa e burimeve njerëzore dhe monitorimi i programeve të akredituara, duke shtuar se janë “duke u munduar t’i përmbushin këto kritere”.

Në këtë debat publik ishte i ftuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi por se ky i fundit nuk ka qenë prezent dhe asnjë përfaqësues i këtij institucioni.