Opozita proteston në Tiranë

Mijëra protestues kanë dalë sot në sheshet të Tiranës për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, një ditë pasi deputetët opozitarë nisën tërheqjen e tyre nga Kuvendi duke nënshkruar vendimet për dorëzimin e mandateve.

Ata janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit ku pritet të mbahet pjesa qendrore e protestës.

Policia shqiptare paralajmëroi trazira gjatë protestës së të enjtes duke thënë se ka informacione për plane sulmi dhe pushtimi të sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale,” thuhet në njoftimin e policisë.

“Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”, vijon më tej deklarata.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë shpallur një protestë të dytë të enjten në orën 10 të mëngjesit, në rrugën Xhorxh Bush në Tiranë pranë ndërtesës së seancave plenare të kuvendit pas protestës masive të së shtunës së kaluar, kur një grup i vogël protestuesish sulmuan selinë e kryeministrit.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaroi se ka vendosur të anulojë seancën plenare të planifikuar të enjten për “të mos i dhënë mundësi keqbërësve” për të sulmuar institucionet e shtetit.

“Duke pasur parasysh informacionet, ftoj kolegët deputetë të më mirëkuptojnë në vendimin tim për të mos zhvilluar seancë plenare ditën e enjte në orën dhjetë”, tha Ruçi në një deklaratë për shtyp.

 

21 Shkurt 2019 - 10:44

Kallxo 21/02/2019 - 10:44
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend