Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë

Opozita në Maqedoni kërkon amnisti për dhunën në Kuvend

Opozita në Maqedoni kërkon amnisti për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit 2017. Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski në marshin protestues të kësaj partie në qytetin e Strumicës, në jug të Maqedonisë, tha se të akuzuarit për “terrorizëm” për ngjarjet e vitit të kaluar janë të pafajshëm dhe se i gjithë rasti sipas tij është i orkestruar për të frikësuar popullatën si dhe për të luftuar të gjitha ata që nuk mendojnë se pushteti.

“Janë pesë deputetë të VMRO DPMNE-së që ngarkohen për diçka që nuk e kanë bërë gjegjësisht akuzohen për terrorizëm. Asnjëherë mos mendoni se i kam harruar ata vëllezër dhe motrat që tani janë nëpër burgje dhe që janë pjesë e fushatës politike kundër çdo maqedonasi që mendon lirshëm. Për këtë bëjë thirrje për amnisti për personat e ngjarjeve të 27 prillit…Nuk mund të ecim përpara nëse jetojmë në të kaluarën dhe kjo është ajo për të cilën do të luftojmë”, ka deklaruar Mickovski.

Për ngjarjet në Kuvend, 30 persona akuzohen për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”. Në mesin e tyre janë pesë deputet të cilët akuzohen se kanë ndihmuar masën e tubuar para Kuvendit për të hyrë në Kuvend.

Kreu i VMRO-së, ndërkohë është prononcuar edhe për marrëveshjen me Greqinë duke e quajtur të dëmshme për interesat nacionale maqedonase ndërsa sa i përket referendumit nuk dha detaje mbi pozicionin që do të ketë opozita.

Nga qeveria nuk kanë komentuar akuzat e opozitës, por sa i përket kërkesës për amnisti, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka thënë se “kjo nuk vjen në shprehje pasi çdo kush që ka bërë krime apo që ka shkel ligjin duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë”.

Lidhur me dhunën në Kuvend, të enjten janë dënuar edhe sulmuesit e deputetit shqiptar Zijadin Sela. 7 personat e akuzuar për sulmin ndaj tij janë dënuar me 82 vjet burg.