Partitë opozitare do të jenë prezentë në takimin për demarkacionin

Opozita Kërkon Largimin e Mustafës e Thaçit nga Qeveria

Në deklaratë, opozita thotë se edhe më herët ka argumentuar se marrëveshja e 25 gushtit me Serbinë e nënshkruar nga Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq në Bruksel është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe frymën e saj.

“Rrjedhimisht kjo marrëveshje dhe ‘Zajednica’ në përgjithësi janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla janë të vdekura. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si dhe koalicioni i tyre duhet të japin përgjegjësi për shkelje të Kushtetutës”, thuhet në deklaratë.

“Këta shkelën Kushtetutën, dhe mashtruan qytetarët duke u përpjekur ta fshihnin këtë mashtrim. Po ashtu, ata kanë vënë në lajthitje Kuvendin e Republikës, duke tentuar dhunshëm ta bëjnë atë pjesë të shkeljes së tyre të rëndë”, thuhet në deklaratë.

Opozita thotë se kundër argumenteve të tyre, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi patën deklaruar se “Zajednica është OJQ, është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën dhe se Dekretin për themelimin e saj do ta dërgonin në Gjykatën Kushtetuese”.

“Ata nën këto qëndrime antikushtetuese shpërfillën Peticionin e 205 254 qytetarëve, arrestuan deputetët tanë, aktivistët e qytetarët protestues”.

“Ata na akuzuan se po shkelim ligjin teksa kishin shkelur thelbësisht Kushtetutën e vendit tonë, pra interesin tonë shtetëror”.

“Prandaj largimi i menjëhershëm i Mustafës dhe Thaçi është i domosdoshëm dhe më e pakta që duhet të ndodhë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-s.