Vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli, të cilët akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje në trafik heroine dhe kokaine, Foto: BIRN

Opozita kërkon dorëheqjen e Edi Ramës pas përgjimeve të reja të bandës së Shijakut

Një numër përgjimesh të prokurorisë shqiptare, të publikuara nga tabloidi gjerman ‘Bild’ zbulojnë përfshirjen e kreut të bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj në procesin zgjedhor si dhe futjen në listën fituese të një deputeti socialist. Opozita përsëriti kërkesat për rrëzimin e qeverisë, ndërsa mazhoranca shprehet e shqetësuar për daljen e sekretit hetimor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përsëriti kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama, pas publikimit të disa përgjimeve të reja nga dosja e njohur si “339” në tabloidin gjerman ‘BILD’, ku kreu i një organizate kriminale me bazë në Shijak dëgjohet ndër të tjera të shpallë një kandidat socialist për deputet si të pëlqyer prej tij.

“Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze ‘BILD’ kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj, të cilët kanë hequr çdo dyshim se për të mbajtur pushtetin e kalbëzuar nga korrupsioni, Edi Rama ka bërë pakt me krimin, ka blerë vota nëpërmjet bandave dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës,” deklaroi Basha.

” Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili kërkoi largimin e qeverisë “brenda 24 orëve”.

“Shqiptarët panë sot sesi kriminelët telekomandojnë pushtetin, sesi kriminelët imponojnë pushtetin, sesi kriminelët komandojnë kryeministrin, kryetarët e bashkive, drejtorët e gjithë të tjerët,” deklaroi Vasili në Facebook.

“Kryeministri dhe as ministrat e tyre nuk mund të qëndrojnë dot as 24 orë në zyra”, shtoi ai.

Zyra e shtypit të kryeministrit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të BIRN të dërguar me email. Ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja doli në një deklaratë për mediat për të shprehur “shqetësimin për daljen në publik të sekretit hetimor”.

“Nuk do flas për hetimet dhe fatin e personave të përmendur. Jam këtu i shqetësuar për dy gjëra, e para është koha që Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të vlerësojë seriozisht çështjen e daljes në publik të sekretit hetimor,” tha Manja. “Të hetohet kush prej prokurorëve i çoi përgjimet në zyrat e PD-së,” shtoi ai.

‘BILD’ publikoi të mërkurën gjashtë biseda të përgjuara nga prokuroria shqiptare gjatë hetimit të një grupi kriminal të trafikut të drogës me bazë në Shijak, me personazh kryesor Astrit Avdylajn. Më herët, biseda të ngjashme të publikuara në media kanë zbuluar lidhje mes Altin Avdylajt, me nofkën Niçja, me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në bisedat e zbuluara nga ‘BILD’, Astrit Avdylaj, i njohur si kreu i bandës kriminale të Shijakut përgjohet duke urdhëruar zyrtarë socialistë që të mos vendosin gjoba për ndërtime pa leje si dhe duke rekomanduar një person të caktuar si kandidat për deputet të socialistëve në zonën e Shijakut. [Link përgjimet]

Në disa biseda që përmendet edhe kryeministri Edi Rama, Astrit Avdylaj flet me persona të ndryshëm mbi kandidimin e një personi me emrin Ilir Ndraxhi si deputet socialist për zonën e tij, duke premtuar edhe se do të punonte fort për një rezultat të mirë zgjedhor për socialistët.

Nga përgjimi, Avdylaj duket se ka pasur ndikim në përcaktimin e Ndraxhit në listën  e deputetëve socialistë të Durrësit. Në një bisedë tjetër, drejtori i kompanisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimeve të Durrësit urdhërohet të raportojë te Avdylaj se cilët nga punonjësit e ujësjellësit dyshohet se janë mbështetës të opozitës, me qëllim “shkundjen”e tyre për të votuar Partinë Socialiste, ndërsa në një tjetër rezulton se zgjidh probleme me regjistrimin e pronave në hipotekën e Durrësit.

Përgjimi 1:

Astrit Avdylaj me Ivo Doçi, drejtor i Ujësjellës Kanalizime Durrës

Tema: Ndikimi i Astrit Avdylajt ku kërkon informacion mbi punonjës të ujësjellësit që mund të jenë mbështetës të opozitës për t’i bërë presion. Në bisedë, Avdylaj dëgjohet duke thënë: “Ose të ma japin votën, ose të ikin te shpija”. Drejtori i ujësjellësit shpreh gadishmëri të plotë për të bashkëpunuar duke njoftuar se i ka ndarë punonjësit siç kërkohet, në mbështetës të qeverisë dhe të opozitës.

Përgjimi 2:

Astrit Avdylaj me Ardian Kokomani, kryebashkiak i Shijakut

Tema: Astrit Avdylaj njofton kryetarin e bashkisë se do të organizojë një takim me krerët socialistë të zonës, përfshirë Vangjush Dakon, Ilir Ndraxhin, vëllai i Ilir Ndraxhit, dhe dikush me emrin Jupi, ku do të diskutohet për të bindur socialistët të kandidojnë Ilir Ndraxhin për deputet.

Përgjimi 3: Astrit Advylaj me Arjan Ndraxhi

Tema: Advylaj pyet Arjanin (vëllai i deputetit Ilir Ndraxhi), nëse e kanë marrë në telefon Ilirin për t’i njoftuar kandidimin për deputet në listat e Partisë Socialiste. Astriti i thotë më tutje se ata do të punojnë fort për të arritur rezultat të lartë zgjedhor për Partinë Socialiste. Pak ditë më vonë, Ilir Ndraxhi u emërua në vend të katërt në listën e kandidatëve të Durrësit për partinë Socialiste, duke e pasur postin e deputetit të sigurt.

Përgjimi 4: Astrit Avdylaj me Elton Arbanën

Tema: Avdylaj i kërkon Arbanës, në atë kohë kryetar i Partisë Socialiste të Shijakut dhe sot kandidat socialist për kryebashkiak të Shijakut, ku i kërkon të ndërhyjë pranë drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) për Durrësin që të anulojë gjoba të vëna në zonën e tij të ndikimit.

Përgjimi 5: Astrit Avdylaj me Vangjush Dakon

Tema: Kreu i bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj telefonon kryebashkiakun Dako dhe e pyet për takimin e një nate më parë me kryeministrin Rama. Nga biseda duket se Avdylaj ndodhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në praninë e drejtorit të zyrës. Ai i thotë Dakos që të ndryshojë axhendën e tij për të udhëtuar në Ishëm dhe kryebashkiaku i Durrësit pranon.

Përgjimi 6: Avdyli në bisedë me një qytetar për votat

Tema: Astrit Avdylaj telefon një person të paidentifikuar dhe i kujton premtimin e tij për t’i dhënë votën. Në bisedë, ai i kërkon që të mos shkojë te Gon Duka. I telefonuari premton për herë të dytë, duke thënë se ai kishte qenë gjithnjë me të, me Niçën dhe Çimin. Më pas, Astrit Avdyli i kërkon të flasë edhe me vëllanë e tij, Jarin. (Reporter.al)