Deshton mbledhja e kryesise se Kuvendit Foto: KALLXO.com

Opozita bojkoton Kuvendin, kërkon zgjedhje

LDK dhe Vetëvendosje e kanë bojkotuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Seanca që ishte paraparë të mbahej këtë të enjte, dështoi për shkak të bojkotimi të partive opozitare në mbledhjen e Kryesisë Kuvendit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se deputetët e partisë së saj janë të gatshëm që nesër ta dorëzojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Qysh nesër jemi të gatshëm të dorëzojmë mocionin për rrëzimin e Qeverisë pa marrë parasysh a i kemi votat a jo“, tha Haxhiu pasi kishte lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Ajo shtoi se janë larguar nga mbledhje për shkak të “arrogancës së përfaqësuesve të pakicës”.

“Në një vend ku shkelet kushtetuta nga presidenti, kryeministri e Kuvendit, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet”, tha tutje Haxhiu.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti pas lëshimit të mbledhjes u shpreh se LDK është e gatshme të dakordohet për të shkuar në zgjedhje.

“Ky koalicion i pakicës nuk janë duke kuptuar që nuk mund ta mbajnë vendin më tej, të gjitha pikat janë në një seancë maratonike që duhet javë për tu shqyrtuar. Ne shprehëm qëndrimin se jemi të gatshëm për tu dakorduar vetëm për një gjë sesi ta nxjerrim vendin nga kriza që është”, tha në mes tjerash Hoti.

Ndërsa deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina tha se deri sa të bëhet mocioni ndaj Qeverisë, deputetet duhet të qëndrojnë në Kuvend dhe ta mbikëqyrin punën e Qeverisë.

“Ne i kemi dorëzuar votat për rrëzimin e Qeverisë, deri sa të bëhet mocioni ne duhet të mbikëqyrim punën e Kuvendit dhe Qeverisë . Deri sa të bëhen votat për rrëzimin e Qeverisë kemi kërkuar që seancat të jenë të rregullta me 5 pika të rendit të ditës. Kurdo që vie mocioni ne do t’i kemi deputetët për të dhënë votën e tyre por edhe një herë kërkojmë që të na mundësohet kontrolli”, tha para mediave, deputetja Pantina.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti mendon se kolegët e tij deputetë nga VV dhe LDK nuk po i kryejnë punët e tyre që obligohen me kushtetutë.

“Përfaqësuesit e LVV dhe LDK në kundërshtim me kushtetutën nuk po dëshirojnë t’i kryejnë detyrat e veta si deputet, ata dhe secili deputet janë të obliguar t’i kryejnë detyrat sepse për atë edhe paguhen”, tha Haliti duke shtuar se janë duke provuar të mbajnë seancë këtë të enjte.